Greqia, kombi i mashtruesve financiarë

07/03/2011 16:25

Rreth 30 miliardë dollarë në vit është evazioni fiskal në Greqi, një shumë jashtëzakonisht e lartë, e cila nëse do të mblidhej nga shteti, do të shërbentë për të nxjerrë vendin nga kriza brenda pak kohe.

Megjithatë, sipas revistës italiane “Oggi”, mosdeklarimi i të ardhurave, evazioni dhe mashtrimi i autoriteteve janë një mënyrë jetese për shumicën e grekëve

Mediat greke raportuan sot për hetimin e një grupi mjekësh, që deklaronin të ardhura 25 mijë euro në vit, ndërsa vetëm pushimet e tyre kushtonin dy herë më shumë gjatë verës.

Në mungesë të një mandati për të parë në banesat e të akuzuarve, autoritetet e krimit financiar grek fotografuan nga lart shtëpitë e mjekëve dhe për çudinë e tyre, atje gjetën edhe pishina, ndërsa hetimi zbuloi se disa prej tyre kishin edhe jahte private.

Në shtator 2010, qeveria lëshoi një dekret, që i falte evazorët, nëse paguanin vetëm 55% të detyrimeve të tyre ndaj shtetit. Lëvizja krijoi në arkat e Athinës 1,1 miliardë euro, shumë pak duke patur parasysh përmasat e evazionit fiskal në vend.

Megjithatë, ajo u kritikua fuqimisht nga mediat, nga opozita dhe madje edhe nga vetë Kryeministri, Jorgos Papandreou.

Sipas mediave, dekreti do të bëjë që njerëzit të vazhdojnë të mos paguajnë, për të pritur një amnisti tjetër pas 3 apo 5 vjetësh.

Nga ana e tij, Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Financave, konsideroi si sukses faktin që “nëse një mjek që fiton 200 mijë euro në vit deklaronte më parë vetëm 35 mijë, sot deklaron 65 mijë euro”.

Ndërkohë, në kodrat rreth Athinës, të populluara me vila të profesionistëve të kamur, vetëm 324 persona kanë deklaruar se kanë në zotërimin e tyre pishina, ndërsa imazhet e satelitit tregojnë të paktën 10 mijë të tilla.

Grekët menjëherë e kanë gjetur mënyrën për të gënjyers përsëri shtetin. Shumë prej zotëruesve të vilave mbulojnë me “tapete bari” pishinat e tyre, për të shmangur kështu pagimin e taksave shtesë.

Top Channel