36 kartona të kuq në një ndeshje

04/03/2011 19:20

Një arbitër ka vendosur një rekord të ri botëror në futboll: ka ndëshkuar me karton të kuq plot 36 lojtarë.

Damian Rubino ndëshkoi 22 lojtarët në fushë plus lojtarët e stolit bashkë me stafin teknik pas shpërthimit të një sherri në ndeshjen Claypole-Victoriano Arenas.

Menjëherë pas vërshëllimës së fundit të gjyqtarit, lojtarët filluan të godisnin njëri-tjetrin dhe në këtë ngjarje u përfshinë edhe rezervat së bashku me stafet e të dyja ekipeve.

Arbitri, në raportin e tij pas ndeshjes ka shkruar se të gjithë pjesëtarët e të dyja ekipeve janë ndëshkuar me të kuq për “sherr masiv”.

Pas ankesave të presidentëve të ekipeve, të cilët thanë se nuk ka kush të luajë ndeshjen e radhës, arbitri rishikoi pamjet filmike dhe dënoi për ndeshjen e radhës “vetëm” 7 futbollistë.

Rekordi i mëparshëm për numrin më të madh të ndëshkimeve në një ndeshje futbolli e mbante një takim në Paraguaj, kur në vitin 1993 u ndëshkuan 20 lojtarë me karton të kuq.

Top Channel