Njihen në pab, vetvriten së bashku

03/03/2011 17:25

Një ngjarje e pashpjegueshme është duke çuditur policinë britanike, e cila zbuloi dy trupa të pajetë, të vetvrarë në makinën e njërit prej tyre, nëpërmjet një tubi që shkarkonte gazrat toksikë të makinës në kabinë.

Ndonëse raste të tilla vetvrasjeje janë parë edhe më parë, ajo që ja befasuar policinë është fakti se viktimat, një 37-vjeçar dhe një 23-vjeçare nuk kishin asnjë lidhje midis tyre.

Në ekspertizën e rastit, siç tregon “The Guardian”, nuk është gjetur asnjë shenjë dhune, ndërsa një letër e lënë në makinë tregon se vetvrasja e dyfishtë ishte konsensuale.

Nuk dihet se si të dy janë njohur, por nga përqindja e alkoolit të mashkullit në gjak, besohet se të dy u takuan në një bar disa orë përpara se ai të vriste veten.

Duke folur, burri që kishte marrë vendimin, duhet t’i ketë treguar shoqes së tij të gotës se kishte vendosur që t’i jepte fund jetës atë ditë. 23-vjeçarja, e cila jepte mësim në një gjimnaz në Londrën veriore, e entuziasmuar nga ideja, i kërkoi 37-vjeçarit t’i bashkohej në makinën e vdekjes.

Një ngjarje identike ndodhi edhe një vit më parë në Angli, ku një 35-vjeçar dhe një grua 34-vjeçar, vendosën të vetvriteshin së bashku, përsëri në një makinë me gazra toksikë, por në rastin e tyre, ata njiheshin prej pak kohësh.

Top Channel