Marku: Tensioni në Kuvend, strategji e PS

03/03/2011 21:45

Deputeti demokrat Mark Marku ka deklaruar se tensionimi i situatës në Parlament vjen si pasojë e një strategjie të opozitës për të bllokuar këtë institucion.

“Incidentet në Parlament ndodhin kudo, por jo në këtë sekuencë. Ka një praktikë të PS për të bllokuar Parlamentin dhe meqenëse nuk e bllokon dot përmes votës, deputetët socialistë fillojnë të shajnë, të shpifin, mblidhen tek foltorja dhe sulmojnë gardën”, ka pohuar Marku.

“Në thelb është kjo, që ne do ushtrojmë forcë për të bllokuar Parlamentin. Rrjedhimisht nuk mund të ketë nerva të qeta”, ka vijuar ai.

Sipas Markut, rregullorja e Kuvendit zbatohet plotësisht nga kryetarja, por është PS ajo që e shkel dhe nxit trazirat në bazë të urdhërave të lidershipit të saj.

“Unë mendoj se rregullorja zbatohet. Në seancën e sotme, për shembull, zoti Dokle e mbaroi kohën e vetë dhe nuk pranonte të largohej nga foltorja. Pastaj vjen pjesa tjetër e deputetëve dhe krijon një gjendje stadiumi në Parlament. Këtu ka një strategji të PS”, ka shtuar Marku.

Top Channel