Taksa aktuale e shitjes së makinave nuk po jep efektin e duhur në arkën e shtetit dhe në ruajtjen e mjedisit, dhe për këto shkaqe po diskutohet mundësia e ndryshimit.
Prej kohësh diskutohet në radhët e mazhorancës për një ndryshim të formulës së taksës për automjetet që shiten brenda vendit, për shkak se ka bllokuar tregun.
Pavarësisht se Ministria e Financave nuk deklaron zyrtarisht se taksa e vendosur në korrik të vitit të kaluar konsiderohet e dështuar, në heshtje dikasteri i Ridvan Bodes pranon se ka nisur punën për gjetjen e një varianti të ri.
Aktualisht taksa për shitjen e makinës llogaritet njëlloj sikur veprohet me automjetet e importuara, mbi bazën e koeficientit të vitit të përdorimit, karburantit dhe fuqisë motorike. Edhe nëse automjetit i është paguar taksa në doganë në momentin e importimit, sërish paguhet detyrim kur drejtuesi vendos ta shesë pas një periudhe të caktuar.
Taksa e dytë llogaritet si diferencë e detyrimit të paguar në fillim në doganë dhe viteve të përdorimit në tregun vendas. Kjo skemë e rrit çmimin e makinës me të paktën 20 për qind, pasi drejtuesi duhet të paguajë detyrime të larta. Të detyruar, shumë drejtues automjetesh nuk i kanë paguar taksat duke përdorur një “formulë” të tyre, atë të aktit të përdorimit, përmes një vule dhe firme nga noteri.
Drejtues të lartë e kanë kuptuar hilen dhe kërkojnë nga ministri i Financave ndryshimin e formulës. Po cilat mund të jenë variantet e mundshme?
Po të shikohet procedura që ndjek BE-ja, mësojmë se në pikat e kontrollit të automjeteve është vendosur një lloj pajisje që mat nivelin e ndotjes së automjetit. Mbi bazën e disa normativave vendosen edhe detyrimet që duhet të paguajë drejtuesi i automjetit. Kjo praktikë mund të ndiqet edhe në vendin tonë, por ekspertët e Financave, pasi kanë kryer përllogaritjet paraprake, deklarojnë se vendosja e pajisjeve të tilla kërkon kohë dhe investim të madh. Për këtë çështje BE-ja nuk është e shqetësuar nëse vendi ynë e aplikon ose jo këtë skemë, por shton se duhen vendosur detyrime për t’u paguar, ashtu siç veprojnë vendet e tjera, pra mjafton që të mos ketë diskriminim.
Varianti i dytë ka të bëjë me bashkimin e dy taksave, të qarkullimit rrugor dhe të regjistrimit, në një të vetëm, duke tentuar vendosjen e një norme të pranueshme për të gjithë. Kjo duket një skemë më e zbatueshme dhe parashikohet të aplikohet nga drejtoritë e kalibrimit të automjeteve. Ashtu si në skemën e parë, ndotja e mjedisit përbën kriterin bazë të vendosjes së taksës.
Financat deklarojnë se BE-ja ka kërkuar me insistim vendosjen e një regjimi të ri takse për tregun e automjeteve në vend, por zgjidhjen për më konkretisht ia la në dorë të lirë Ministrisë së Financave. Kjo e fundit shpiku një formulë, e cila deri më sot nuk ka sjellë gjë tjetër, por vetëm dështim. Të dhënat paraprake tregojnë se tregu i makinave të reja, të ofruara nga shoqëritë koncesionare, ka pësuar një ulje të ndjeshme, kur në tregun e zi po lulëzojnë mjetet e vjetra, deri në 25 mijë copë.
Edhe në buxhetin e shtetit nuk ka asnjë rezultat pozitiv. Taksa mbi transaksionet e makinave të përdorura regjistron një nivel realizimi, si 11-mujor për 2010-n, në masën e 2 miliardë e 400 milionë lekëve, ose 7.2 për qind më pak.
Top Channel