Intershipet, moda e re e studentëve

03/03/2011 19:45

Tendenca gjithmonë e në rritje e studentëve të diplomuar apo jo për të kërkuar praktika pune, u vendos në fokusin e emisionit të pasdites, në Top Channel.

Pyetja që lind natyrshëm është nëse kjo mbetet një ambicie personale e secilit prej studentëve për të fituar “kulturën e punës”, apo është vetëm një përpjekje e dëshpëruar për të krijuar kontakte të reja.

Duket se shpeshherë, internshipet kanë rezultuar të suksesshme dhe janë kurorëzuar me një punë e rrogë të mirë, vetëm disa muaj pas trajnimit. Një eksperiencë të ngjashme na tregon Klodi, një nga vajzat që u pranuan në punë pas një intershipi.

”Menjëherë pasi përfundova studimet në Fakultetin e Drejtësisë në Tiranë, mendova se gjëja më e mirë për karrierën time ishrte të kryeja një intership.

Pas 1-2 muajsh praktike, dërgova aplikime të shumta për punë dhe në njërin prej këtyre aplikimeve fitova të drejtën për të nisur një punë në një prej projekteve të financuara nga Komisioni Europian në Shqipëri”, thotë vajza.

Sipas trajnuesve të qendrës së informimit së BE-së në Tiranë, ky projekt përmban elementë të rëndësishëm për formimin praktik të studentëve.

”Si qendër e financuar nga fondet e BE-së, vendosëm që të mbështesnim për këto intershipe studentët e Universiteteve Shqiptare, kryesisht atyre të Tiranës.

Ata duhet të jenë në vitin e fundit apo të parafundit të Universitetit dhe duhet të jenë në gjendje që të flasin anglisht, pasi ky është një kusht i domosdoshëm në ambientin e sotëm të punës.

Është e rëndësishme elokuenca dhe informacioni për Bashkimin Europian, në mënyrë që kur vijnë vizitorët në qendër dhe bëjnë pyetje, të paktën të jenë në gjendje t’i përgjigjen”, thotë njëra prej drejtueseve të qendrës.

Ina, studente e Fakultetit të Drejtësisë, është një prej personave që ka qenë në gjendje të plotësojë të gjithë këto kritere. Megjithatë, duke qenë ende në procesin mësimor, nuk mungojnë vështirësitë dhe pretendimet e mëvonshme për një të ardhme të sigurt dhe progressive me profesionin e saj.

”Vendosa të bëj intershipin në këtë periudhë, sepse jam në vitin e tretë dhe viti i fundit do të jetë me siguri më i ngarkuari. Duke patur këtë intership në CV, do të jetë më e lehtë për mua që të përzgjidhem në të ardhmen në një vend pune”, thotë studentja.

”Vështirësitë kryesore gjatë kryerjes së intershipit lidhen me mospërputhjen e orareve të shkollës me atë të praktikës apo ngarkesën e shtuar që të krijon puna”.

Top Channel