Integrimi, The Economist: Shqipëria në telashe

03/03/2011 23:50

Gazeta prestigjoze britanike “The Economist” komenton situatën politike në Shqipëri duke thënë se Shqipëria po çalon në rrugën e saj dhe se endrra e saj europiane është në telash të madh.

Gazeta citon ndërmjetësin e Bashkimit Europian Lajçak, duke thënë se nëse Berisha dhe Rama nuk gjejnë kompromisin para zgjedhjeve vendore, atëherë ata të dy do të mbajnë përgjegjësi për lëmshin që do të krijohet, pavarësisht se çfarë thonë.

“Që nga zgjedhjet e përgjithshme të qershorit 2009, kur zoti Rama akuzoi zotin Berisha për manipulime, politika në Shqipëri nuk ka qenë më normale”, thuhet në artikull ku përmendet bojkotimi i Kuvendit nga opozita dhe greva e urisë para zyrave të ekzekutivit.

Gjendja e krijuar prej një kohe të zgjatur tashmë konsiderohet e papërshtatshme për një vend që i është bashkuar NATO-s dhe ka aplikuar për anëtarësimin në Bashkimin Europian, ndaj presioni i ushtruar ishte nga të dy krahët. Tani po e përshkallëzojnë trysninë e tyre sërish.

Tonet e zotit Lajçak, thotë The Economist, lënë të kuptohet se miqtë e Shqipërisë po e humbasin durimin. Artikulli përmend e Dritan Priftit që tregon se si ish-zv/kryeministri Ilir Meta diskuton mbi një ryshfet të majmë duke e cituar këtë si shkakun e trazirave më të fundit bashkë me tubimin e opozitës të përfunduar në tragjedi.

Vezhguesit, thuhet aty, mendojnë se ishte një grup protestuesish që po kërkonin telashe, por askush nuk priste, sipas The Economist që Rojet e Republikës në zyrën e kryeministrit të hapnin zjarr duke vrarë katër persona.

Zoti Berisha, thuhet më tej, beson se ka mbështetjen e amerikanëve çka i jep edhe forcën për t’i rezistuar arritjes së një marrëveshje me Edi Ramën.

Por Lajçak është i bindur se duhet të ketë një pakt mes të dyve për shmangien e problemeve që çuan tek akuzat për mashtrime elektorale përpara zgjedhjeve të majit. Në të kundërt, akuzat do të rriten, paqendrueshmëria do të vazhdojë dhe shpresat e Shqipërisë për t’u bërë pjesë e bllokut europian do të mbyllen në sirtar.

Top Channel