Odisea 3 vjeçare e një pafajësie

01/03/2011 20:30

Gjykata Kushtetuese ka vendosur shfyqizimin e një vendimi të Gjykatës së Lartë e cila në vitin 2001 shpallte fajtor shtetasin Arben Xheraj, akuzuar për vrasje.

Ky vendim erdhi pas një vendimi të Gjykatës Europiane për të drejtat e njeriut e cila në çështjen “Xheraj kundër Shqipërisë” i dha të drejtë Arben Xherajt në pretendimin e tij për pafajësi.

U deshën tre vjet që drejtësia shqiptare të merrte parasysh këtë vendim të Gjykatës së Strasburgut.

Ky është rasti i parë për një çështje penale të dërguar nga Gjykata Evropiane e të drejtave të nejriut për të cilin shprehet edhe Gjykata Kushtetuese në vend.

Disa vite më parë 41 vjeçari Xheraj i cili akuzohej për një vrasje të ndodhur në Durrës, ju drejtua Strasburgut nëpërmjet avokatëve të tij Dilaver dhe Alban Bengasi për një proçes të parregullt ligjor i cili, sipas tij, i kishte cënuar lirinë personale.

Me argumentimin se për dënimin e marrë në 1996 më 20 vjet burg Gjykata e Apelit në vitin 1998 i dha pafajësinë dhe pushoi çështjen.

Në kundërshtim me proçedurat ligjore në 2001 Gjykata e Lartë e shpalli atë fajtor duke lënë në fuqi dënimin e 20 viteve burg.

Si fakt në Strasburg avokatët prezantuan nga njëra anë vendimet e pafajësisë dhe pushimit dhe nga ana tjetër shkeljen e afateve të Prokurorisë e cila nëntë muaj pas vendimit të pafajësisë ankohet dhe kërkon shfuqizimin.

Përkundër rasteve të mëparshme penale Strasburgu u shpreh duke nënvizuar se është shkelur konventa në rastin e Xherajt. Por odiseja nuk merr fund këtu.

Për tre vjet avokatët e të pandehurit kanë kërkuar ekzekutimin e vendimit të Strasburgut nga njera gjykatë në tjetrën.

Fillimisht kushtetuesja ja përcjolli në atë kohë vendimin e Strasburgut, Gjykatës së Lartë pasi ishte kjo gjykatë që kishte dhënë edhe vendimin e fajësisë.

Por ndërkohë u shpreh edhe për domosdoshmërinë e ekzekutimeve të vendimeve të dhëna për çështjet penale nga Strasburgu.

Por edhe Gjykata e Lartë nuk dha ndonjë vendim të formës së prerë duke bërë kështu që sërisht çështja të shkonte në Gjykatën Kushtetuese.

Dhe në vendimin më të fundit Kushtetuesja e tha fjalën e saj të fundit, duke vendosur pezullimin e zbatimit të tre vendimeve që e kishin shpallur Arben Xherajn fajtor si dhe njoftimin e Prokurorisë së Përgjithshme për heqjen e shtetasit nga lista e të kërkuarve.

Top Channel