MT, 20 milionë USD dy firmave fituese

01/03/2011 08:20

Fillimi i punimeve për Unazën e Re të Tiranës duket se do të jetë çështje ditësh, pasi Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve, në varësi të Ministrisë së Transporteve, sapo ka shpallur fituese dy firma private.

Kontrata do të lidhet së shpejti, pas kalimit të afateve për ankesat, kurse vlera e investimit shkon në rreth 20 milionë dollarë (pa përfshirë TVSH-në).

Unaza e Re e Tiranës prek segmentin “Komuna e Parisit” – rruga e re Tiranë – Elbasan, ku parashikohet, pas përfundimit të punimeve, të krijohen lehtësi të qarkullimin e automjeteve.

Projekti për Unazën e Re të Tiranës ka përplasur disa herë bashkinë dhe qeverinë lidhur me financimin e rrugës.

Të dyja pushtetet kanë “luftuar” me njëra-tjetrën mbi kontrollin e projektit, por duket se qeveria e ka bërë fakt të kryer marrjen përsipër të ndërtimit të rrugës.

Problemi kryesor për projektin më të madh të Tiranës është procesi i shpronësimeve, i cili konsiderohet edhe pikënisja e debatit mes dy pushteteve.

Ministri Sokol Olldashi deklaron se, institucioni i Transporteve i ka të gjitha kapacitetet financiare për të marrë përsipër ndërtimin e rrugës, ku futet edhe procesi i shpronësimeve.

Bashkia e Tiranë dhe Ministria e Transporteve kanë bashkëpunuar me njëra-tjetrën për inventarizimin e pronave që do të shpronësoheshin, por përplasja nisi me kredinë e BERZH-it.

Bashkia e ka siguruar fondin nga donatori, në shumën e 25 milionë dollarëve, por derdhja e fondit po vonohet, pasi sipas ministrisë, institucioni i drejtuar nga Rama nuk është në gjendje të paguajë këstet.

 

Top Channel