Lamtumirë BBC-së në shqip

28/02/2011 21:50

Shërbimi në shqip i BBC-së kreu sot transmetimin e tij të fundit, pas pothuajse 20 vitesh në shërbimin e audiencave në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni.

Gjuha shqipe ishte një prej pesë shërbimeve në gjuhë të huaj që u vendos të mbylleshin në janar, si rrjedhojë e shkurtimeve në buxhetin e BBC-së.

Për herë të parë, seksioni në shqip u hap në vitin 1940 dhe punoi deri në 1967-n, kur u mbyll si pasojë e presionit të ushtruar ndaj korrespondentëve prej shtetit komunist dhe ndërprerjes së sinjalit të radios në territorin e vendit.

Në vitin 1993, BBC rifilloi të ritransmetonte në shqip dhe luajti një rol thelbësor në informimin e saktë dhe të paanshëm të njerëzve gjatë anarkisë së vitit 1997.

Në kulmin e dëgjueshmërisë, rreth 750 mijë persona në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni dëgjonin radion.

Drejtori i shërbimit në gjuhën shqipe, Ilir Nishku, deklaroi se “ndihet thellësisht i dëshpëruar për mbylljen, por edhe krenar për të gjithë atë që BBC në shqip ka arritur ndër vite”.

Ndonëse arsyeja kryesor që çoi në përfundimin e shërbimit ishte ajo ekonomike, BBC citoi edhe faktin që media lokale në Shqipëri është rritur ndjeshëm, ndërsa vendi përballet me mundësinë eventuale të antarësimit në BE.

Kritikët argumentojnë se ndonëse media jonë është teorikisht e lirë, ajo mbetet shumë e polarizuar dhe ka nevojë për një zë të pavarur në rajon.

Top Channel