70 “BMW X5”, të trafikuara

27/02/2011 08:10

Në dosjet e shumta të kallëzuara penalisht nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, sektori i hetimit, janë të përfshira edhe rastet e trafikimit të makinave luksoze.

Një raport i Kontrollit të Lartë të Shtetit, i përfunduar në vitin 2010, tregon me detaje rastet e hetuara nga dogana për kontrabandën e kryer me mallra të ndryshme, ku ndër to binin në sy makinat luksoze të markës “BMW X5”.

KLSH-ja thotë se në dy vitet e fundit, dogana ka trajtuar rastet e trafikimit për 70 automjete të kësaj marke, dosjet e të cilave kanë shkuar për hetim në prokuroritë përkatëse.

“Në totalin e kallëzimeve penale, 70 raste lidhen me trafikimin e makinave të vjedhura dhe me dokumente të falsifikuara të tipit ‘BMW-X5’”, – thekson KLSH-ja.

Fenomeni i tregtimit të makinave të vjedhura është kthyer në çështje kryesore për autoritetet shqiptare, ku në plot raste ka ndërmarrë aksione të ndryshme, si i famshmi “Liqeni”, ku u sekuestruan me qindra automjete, kryesisht luksoze.

Trafikimi i makinave në vendin tonë ka tërhequr edhe vëmendjen e agjencive dhe mediave të huaja, ku së fundmi bie në sy investigimi i kryer nga tre gazetarë britanikë të emisionit “Top Gear”, në “BBC”.

Duke iu rikthyer raportit të KLSH-së mbi dosjet e hetimit të doganave, mësohet se janë përfunduar 714 çështje, nga të cilat 131 kanë rezultuar me shkelje të ndryshme doganore me detyrim total në vlerën prej 465 milionë lekë, ku detyrimi doganor është në vlerën prej rreth 122 milionë lekë dhe penalitetet në vlerën prej 343 350 680 lekë.

Gjithashtu, rezulton se nga dosjet të cilat kanë rezultuar me shkelje doganore janë dërguar në prokurori dhe është bërë kallëzim penal për 78 dosje me një detyrim total në vlerën prej rreth 297 milionë lekë, nga e cila detyrim doganor, vlera prej 80 milionë lekë, penalitet vlera prej rreth 213 milionë lekë dhe sekuestro vlera prej 4.4 milionë lekë.

Kontrolli i Lartë i Shtetit thotë se, janë në proces hetimi dhe pritje gjithsej 576 dosje për vitet 2007-2009, ku 90 dosje i përkasin vitit 2007, 273 dosje i përkasin vitit 2008 dhe 213 dosje i përkasin vitit 2009.

“Nga kontrolli me zgjedhje i disa dosjeve që iu ka kaluar afati i parashkrimit dhe nuk është vepruar në kohë nga hetuesit e Drejtorisë së Hetimit, me pretendimin e pritjes së informacionit, megjithëse ekzistonin dyshime të arsyeshme se subjektet në fjalë kanë konsumuar elementet e veprës penale “kontrabandë me mallra të tjerë”, vë në dukje institucioni më i lartë kontroll në vend.

Top Channel