Zbardhet takimi Topi-Steinberg

25/02/2011 11:50

Faqja zyrtare e Presidencës ka bërë publike detaje nga takimi mes presidentit të Republikës, Bamir Topi dhe zëvendëssekretarit amerikan të Shtetit, James Steinberg.

Sipas njoftimit të Presidencës, takimi i Kreut të Shtetit shqiptar me përfaqësuesin e lartë të Departamentit Amerikan të Shtetit u përqendrua në situatën politike në Shqipëri, duke trajtuar në mënyrë të veçantë zhvillimet më të fundit.

“Presidenti Topi dhe zoti Steinberg nënvizuan rëndësinë e rivendosjes sa më të shpejtë të dialogut të frytshëm mes forcave politike dhe përgatitjen sa më të mirë e në kohë për zgjedhjet vendore, që do të zhvillohen në 8 maj të këtij viti. Presidenti Topi, pasi vlerësoi lart marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve tona mike dhe aleate dhe shprehu mirënjohjen për mbështetjen e ndihmesën e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara, ritheksoi gatishmërinë e tij personale dhe institucionale për të ndërmarrë çdo veprim të nevojshëm që nxit apo garanton dialogun politik midis palëve politike, si dhe të mirëpresë dhe të mbështesë propozime konkrete që do të bëjnë të mundur jetësimin e këtij dialogu institucional në shërbim të interesave madhore të vendit”.

“Nga ana e tij, Zëvendëssekretari amerikan i Shtetit, James Steinberg shprehu kënaqësinë e veçantë për këtë takim me Presidentin Topi, vlerësoi lart rolin e tij institucional dhe konstruktiv në këto momente të vështira për Shqipërinë dhe e siguroi Kreun e Shtetit se ndihmesa dhe mbështetja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës nuk do t’i mungojnë në përpjekjet e tij si simbol i unitetit të popullit për t’i shërbyer sa më mirë Shqipërisë dhe demokracisë shqiptare”.

“Zoti Steinberg nënvizoi qëndrimin e Shteteve të Bashkuara përsa i përket domosdoshmërisë për të rivendosur dialogun politik institucional dhe për shëndoshjen e demokracisë funksionale shqiptare si dhe të respektimit të institucioneve të pavarura të një vendi, që luan një rol të rëndësishëm në qëndrueshmërinë dhe paqen e rajonit ballkanik”.

Në takim ishin të pranishëm edhe zëvendësndihmës sekretari për Evropën dhe për Azinë, Thomas Countryman dhe ambasadori amerikan në Tiranë, Aleksander Arvizu.

Top Channel