Subashi: Problemet, më të thella se KQZ

24/02/2011 21:55

Sekretari për çështjet zgjedhore të Partisë Socialiste, Armando Subashi, duke folur në “Top Story”, kritikoi lehtësinë me të cilën partitë mund të destabilizojnë zgjedhjet.

Njëkohësisht, ai tha se mundësia për zhvillimin e zgjedhjeve të drejta dhe të pakontenstuara në Shqipëri, do të krijohet vetëm kur të mbërrijë një ndërgjegjësim i të gjithë klasës politike të vendit.

Subashi nënvizoi se mungesa e besimit politik, ka sjellë një krizë të vërtetë zgjedhore dhe në një perspektivë të errët për zgjedhjet vendore të 8 majit.

”Sjell në vëmendje përpjekjet e Berishës kur ishte në opozitë, kërkesat e tij për rikompozimet e KQZ-së, debatet pa fund në komisionet e administrimit zgjedhor, marrëveshjet që negocioheshin deri në çastin e fundit.

Megjithatë, fatkeqësisht, reformat elektorale nuk zgjasnin më shumë se 1-2 muaj dhe menjëherë pas zgjedhjeve, kodi zgjedhor, puna e KQZ-së, ligjet zgjedhore, të gjitha fillonin të kritikoheshin.

KQZ dhe komisionet e tjera janë instrumenta që në një mënyrë ose një tjetër, në momente të caktuara, janë përdorur nga klasa politike. Në të gjithë këto vite, kriza politike e besimit, i atribuohet klasës politike shqiptare.

Kodi parashikon modalitet, se si ndërtohen institucionet, zgjedhjet, ligjet, por pa një vullnet të përbashkët politik, është shumë e lehtë të prodhosh një krizë në vend.

Unë problemin e shoh si shumë të thellë, se sa vetëm KQZ. I qëndroj arsyetimit që nëse njëri krah i klasës ka vullnetin të manipulojë rezultatin, kjo arrihet lehtë, nëpërmjet mënyrave dhe formave të bllokimit të Komisionit.

Klasa politike duhet t’i japë fund historisë së manipulimit dhe kjo arrihet vetëm nëpërmjet një pune të përbashkët. Kriza e besimit është maksimale dhe sa kohë politika të ketë këtë mendësi, nuk do të ketë zgjidhje”.

Top Channel