Ristani: Akuzat ndaj KQZ, krizë besimi

24/02/2011 21:35

Kryetari i KQZ-së, Arben Ristani ka shfajësuar institucionin e drejtuar prej tij nga akuzat që i janë bërë nga opozita për keqmenaxhim të procesit zgjedhor të 28 qershorit.

Sipas tij, kritikat në adresë të KQZ-së nuk kanë ardhur si pasojë e keqadministrimit të zgjedhjeve, por si pasojë e mosbesimit të forcave politike tek ky institucion.

“Duhet sqaruar përse mungon besimi tek zgjedhjet dhe kush nuk ka besim tek to. Ndodhemi përballë një krize besimi, e cila reflektohet tek fakti që menaxhimi i zgjedhjeve në vendin tonë është menaxhim politik, sepse forcat politike duan ta kontrollojnë procesin pasi nuk kanë besim. Kështu, nuk janë zgjedhësit që nuk kanë besim tek procesi por partitë”, ka deklaruar Ristani.

Duke bërë një vlerësim të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2009, Ristani ka theksuar se ato u administruan në mënyrën e duhur nga KQZ, por nuk u pranuan nga subjektet politike që dolën humbëse në këtë proces.

“Po të analizojmë zgjedhjet e fundit, kemi një marrëveshje mes palëve, një klimë shumë të qetë menaxhimi, një ditë votimi të përshëndetur nga ndërkombëtarët dhe kur fillon të ndihet rezultati i zgjedhjeve nisin dhe kontestimet. Më duket se është gjykimi i atyre që nuk pranojnë humbjen dhe thonë se problemi i zgjidhjeve janë cështjet teknike. Nuk besohet tek komisioni, sepse dikujt duhet t’i varet faji”, ka nënvizuar Ristani.

Ai ka shtuar më tej se KQZ nga ana e tij e ka bërë punën dhe gjithcka në përfundim të procesit mbetet në dorën e partive.

“Por nuk është KQZ ai që mbush kutitë e votimit, por janë zgjedhësit. Raporti i OSBE-ODIHR thotë fjalët më të mira për KQZ-në dhe cështja mbetet tek ai që duhet të pranojë humbjen, edhe pse ky është një mendim teknik”, ka shtuar Ristani.

Top Channel