8 maji, ndarje e thellë PD-PS

24/02/2011 23:10

Procesi zgjedhor i 8 majit dhe mbarëvajtja e tij u diskutuan në fund të debatit në Top Story nga të ftuarit. Palët politike, anëtare të KQZ-së, ngulmuan në pozicionet e tyre, ndërkohë që kreu i KQZ-së, Arben Ristani tha se procesi është i vështirë, por jo i pamundur.

Armando Subashi nga PS tha se opozita ka humbur besimin tek institucioni dhe tek kryetari i KQZ-së dhe ky është fakti që nuk con komisionerët në KZAZ. Zoti Subashi tha se nëse zoti Ristani kërkon të kontribuojë në zgjidhjen e krizës në vend, ai duhet të japë dorëheqjen nga posti i kryetarit të KQZ-së.

“Nuk cojmë komisionerët sepse kemi humbur besimin tek ky institucion, kryetari i KQZ nuk gëzon më mbështetjen e Partisë Socialiste. Nëse do të bëhet pjesë e zgjidhjes së krizës në Shqipëri, Ristani duhet të largohet nga pozicioni si kryetar i KQZ-së. Kërkojmë garanci maksimale për zgjedhjet e 8 majit, garanci që zgjedhjet të jenë të lira, të barabarta, e të ndershme. Qëllimi ynë është garancia maksimale për zhvillimin e zgjedhjeve në Shqipëri, nuk është qëllimi ynë shtyrja e zgjedhjeve. Nëse mazhoranca është e gatishme t’u japë zgjidhje këtyre problemeve deri më 8 maj, atëherë le të mbahen zgjedhjet më 8 maj”, tha Subashi.

Nga ana e tij, përfaqësuesi i PD-së në KQZ, Njazi Kosovrasti tha se mazhoranca zotohet për zgjedhje të lira e të ndershme, por sipas tij, Partia Socialiste kërkon me cdo kusht, që zgjedhjet e 8 majit të mos mbahen.

“Mazhoranca do të angazhohet për zgjedhje të lira e të ndershme, ndërsa për punën në KQZ, do të respektohet ligji. PS kërkon me cdo kusht që zgjedhjet të mos mbahen më 8 maj’, tha zoti Kosovrasti.

Ndërkohë, përfaqësuesi i PS-së në KQZ, Genc Gjoncaj cilësoi kreun e KQZ-së, Arben Ristani si problemi i vërtetë për mbajtjen e zgjedhjeve dhe shtoi se me këtë klimë politike, mbajtja e zgjedhjeve do të jetë e vështirë.

“Mungesa e besimit tek arbitri mes palëve është problemi i vërtetë. Problem mbetet KQZ e para, kartat e identiteti, dhe listat e zgjedhëseve. Nëse do kemi këtë klimë zgjedhjet e 8 majit do të jetë vështirë për t’u mbajtur. Zgjedhjet do të jenë me një palë, pala tjetër do mungojë”,

Nga ana e tij, kreu i KQZ-së, Ristani tha se me këtë klimë të rënduar politike, mbajtja e zgjedhjeve është një proces i vështirë, por jo i pamundur.

“Nuk është e lehtë kur klima është e rënduar. Fakti është që në cdo hap të punës Komisioni ka marrë konfirmimin nga OSBE e ODHIR që procesi ishte në rregull. Asnjë nga vendimet tona nuk ankohet në gjykatë. Procesi bëhet i vështirë, por po përpiqemi të mos e bëjmë të pamundur, të bëjmë zgjedhje më 8 maj për 3.2 milionë shqiptarët që kanë të drejtë vote”, tha zoti Ristani.

Top Channel