Ambasada amerikane në Prishtinë ka kërkuar nga Komisioni i Pavarur i Mediave që të zbatojë Kodin e Mirësjelljes lidhur me transmetimin dhe botimin e korrespondencave dhe bisedave private të zyrtarëve të këtij institucioni me politikanë të Kosovës.
“Disa organe mediatike kanë transmetuar dhe botuar komunikimin privat që ka ndodhur në sallën e Kuvendit më 22 shkurt, përfshirë edhe një thirrje të qartë telefonike që më përfshin mua”, thuhet në një reagim për shtyp të ambasadorit amerikan Christopher Dell.
Ambasada gjithashtu ka kujtuar se Kodi Penal i Kosovës ndalon përgjimin e paautorizuar të bisedave dhe të deklaratave personale, por ka nënvizuar se ua lë autoriteteve ligjore të vlerësojnë nëse ka pasur ose jo shkelje të ligjit.
Reagimi i ambasadës amerikane vjen pas publikimit në media dhe reagimit të partive politike se ka pasur ndërhyrje nga përfaqësues ndërkombëtarë para votimit për raundin e tretë të zgjedhjes së presidentit.
Top Channel