PS: Qeveria, paradë abuzimesh

22/02/2011 21:50

Deputeti i Partisë Socialiste, Taulant Balla ka bërë një skaner të qeverisë për të treguar, sipas tij, mënyrën e funksionimit dhe lidhjet korruptive të ministrave të kabinetit.

“Ministri i Brendshëm i këtij regjimi është një njeri dy herë në kërkim: njëherë për një vjedhje përmasat e së cilës do të linin me gojëhapur cdo kleptokrat në botë, dhe së dyti për vrasje të protestuesve të pafajshëm. Plot 230 milion euro u ka vjedhur Lulzim Basha shqiptarëve me një dorë, dhe 4 shqiptarë të pafajshëm u vranë po nga Lulzim Basha sepse protestonin kundër hajdutërisë e kusarisë të regjimit ku ai bën pjesë”, është shprehur Balla.

Akuzat sipas Ballës vijojnë edhe me tej.

“Ilir Meta, ish zëvendëskryeministri dhe aleati kryesor i koalicionit të turpit që sundon sot Shqipërinë është majmur nga korrupsioni i politikës së kthyer në biznes, por ka ende fytyrë të bëjë fushatë elektorale e të kërkojë vota edhe pasi shqiptarët e panë me zë e me figurë duke premtuar plot 700 mijë euro në këmbim të licencave e favoreve”, tha Balla.

Sipas deputetit të Partisë Socialiste, kabineti aktual është kthyer në një grup mafioz që po grabit çdo ditë shqiptarët.

“6 jetë mori Fatmir Mediu në bashkepunim me Shkëlzen Berishën dhe u shpërblye për këtë krim makabër me një vend në regjimin e kusarisë. Majlinda Bregu e ka kthyer familjen në një superfuqi energjetike e s’ ka lënë kunat në këmbë pa i dhënë nga një licencë hidrocentralesh”, deklaroi Balla.

Zoti Balla renditi akuza edhe për ministrat e tjerë të kabinetit “Berisha” të cilët i quajti simbol të qeverisë me të korruptuar në historinë e Shqipërisë.

“Sali Berisha që bekon çdo vjedhje e vrasje për të mbrotjtur vjedhjet e për të vazhduar vjedhjet. Sali Berisha që në Shqipërinë e 1 milion të papunëve dhe mbi 500 mijë të varfërve vjedh e plaçkit çdo gjë që i del përpara për të pasuruar familjen e oborrin”, tha Balla.

Top Channel