Gjobiten subjektet e basteve sportive

22/02/2011 08:00

Subjektet e lojërave të fatit janë vënë nën shënjestrën e Drejtorisë së Parandalimit të Pastrimit të Parave, në varësi të Ministrisë së Financave.

Aktiviteti i kumarit në vend qarkullon në vit rreth 130 milionë dollarë, por për shkak të informalitetit, mendohet se shuma mund të jetë akoma edhe më e lartë.

Në bazë të ligjit, miratuar në vitin 2008, shoqëritë e lojërave të fatit, ku futen të gjitha kategoritë, përfshi edhe kazinotë, duhet të deklarojnë të gjithë personat që luajnë dhe fitojnë shuma jo më pak se 200 mijë lekë.

Nga verifikimet në terren rezulton se jo të gjitha subjektet e kanë respektuar ligjin, duke fshehur lojtarët e shumave të mëdha.

Mësohet nga Ministria e Financave, se inspektorët e Drejtorisë së Parandalimit të Pastrimit të Parave, sektor që mbulon edhe financimin e terrorizmit, kanë gjobitur disa shoqëri të lojërave të fatit në shumat 500 mijë lekë.

Në qendër të objektivit janë vendosur subjektet që ofrojnë baste sportive (lojërat me skedina), ku fituesit e shumave mbi 200 mijë lekë janë më të shpeshtë.

Së shpejti kjo drejtori do të raportojë në Komisionin Parlamentar për Sigurinë, mbi aktivitetin e kryer gjatë vitit, ku në mënyrë të detajuar do të paraqesë shifrat e shkeljeve dhe rastet e dyshimta mbi pastrimin e parave.

Neni 27 i ligjit përcakton qartë nivelin e gjobave për subjektet që nuk bëjnë raportime mbi rastet e dyshimta për pastrim parash, apo të shumave të vendosura si limite për t’u deklaruar.

Gjobat nisin nga 100 000 lekë deri në 500 000 lekë për personat fizikë dhe nga 500 000 lekë deri në 1 500 000 lekë për subjektet e mëdha.

Top Channel