Subashi: Vendimi i KQZ, antiligjor

21/02/2011 19:50

Sekretari për cështjet zgjedhore në PS, Armando Subashi ka deklaruar se mungesa e emërimeve të komisionerëve zgjedhorë nga ana e opozitës ka ardhur si pasojë e vendimmarrjes së KQZ-së.

Në një intervistë për Top Channel, Subashi ka akuzuar KQZ-në se nën urdhërat e kryeministrit Berisha po përgatitet për të manipuluar zgjedhjet e ardhshme.

“Është e vërtetë që afatet kanë kaluar, por po të bëjmë një retrospektivë të vendimmarrjeve të KQZ-së, ne jemi treguar shumë të matur në vendimet tona. Ka disa muaj që KQZ po përgatit një strategji për manipulimin e zgjedhjeve të radhës”, ka deklaruar Subashi.

Sipas tij, shembull për këtë është rregullorja e miratuar para disa muajsh për funksionimin e KQZ-së dhe mbledhjeve që duhet të drejtojë komisioni.

“Kjo kërkonte një shumicë të cilësuar, por është miratuar me shumicë të thjeshtë votash, 4-3. Kryetari i KQZ-së dhe gjithë zyrat rajonale të KQZ ka mundur që në të gjitha këto të vendosë militantë të PD, që do të jenë nën urdhërat e tij për të manipuluar zgjedhjet”, ka pohuar Subashi.

Deputeti socialist e ka vlerësuar si tërësisht anti-ligjor vendimin e sotëm të KQZ për të plotësuar 66 vendet vakante në Komisionet e Zonave të Administrimit Zgjedhor.

“Vendimi i sotëm është në kundërshtim të hapur me ligjin, me nenin 29 të Kodit Zgjedhor. Fryma e kodit është administrimi i zgjedhjeve nga dy koalicionet dhe në funksion të këtij parimi organizohet procesi. Prishja e kësaj balance nuk e zgjidh krizën, por e thellon atë më shumë”, ka theksuar Subashi.

Ai ka hedhur poshtë opsionin e bojkotimit të zgjedhjeve, por ka nënvizuar se opozita po lufton për të pasur garanci për zhvillimin e lirë të tyre.

“Nuk na ka shkuar ndërmend të bojkotojmë zgjedhjet, por do kërkojmë garanci maksimale për zgjedhjet e radhës”, është shprehur Subashi.

Ai ka shtuar më tej se vendimi i sotëm i KQZ-së rëndon krizën politike që ka përfshirë vendin, e cila nuk mund të zgjidhet me kryeministrin Berisha në pushtet.

“Ne po studiojmë mënyrën se si do të reagojmë ndaj vendimit të sotëm të KQZ, por i qendroj idesë se zgjidhja e kësaj situate nuk mund të zgjidhet me emrin e disa komisionerëve. Zgjidhja duhet të jetë politike, më e thellë dhe më e plotë se zgjedhjet lokale. Ne nuk mund të pranojmë zgjedhje me qeverisjen e Berishës, mbi kurrizin e të cilit rëndojnë shumë akuza për manipulime”, ka shtuar Subashi.

Top Channel