Biznesi: Abuzimi me naftën, 150 mln euro në vit

21/02/2011 08:40

Duke pasur parasysh çmimet, cilësinë dhe vëllimin, gjykohet se në vit, karburantet u shkaktojnë konsumatorëve një dëm prej të paktën 150 milionë eurosh.

Shifra e abuzimit rritet frikshëm, me 30 milionë dollarë, në krahasim me 2009-n, në bazë të përllogaritjeve të bëra nga bizneset industrialiste, që përfaqësohen nga Konfindustria.

Sipas kësaj shoqate, të gjitha të këqijat nga tregu i karburanteve vijnë si pasojë e mënyrës sesi punojnë operatorët, ku mbi ta nuk ka asnjë ent shtetëror që bën monitorimin e duhur.

“Nëse llogariten edhe dëmet ekonomike në Shëndetin Publik, mjedis dhe makineri e pajisje, kostot ekonomike janë të papërballueshme për ekonominë kombëtare dhe rrezikojnë seriozisht rritjen ekonomike të vendit, përfshi edhe parashikimin qeveritar në shifrat 6.5 për qind në PBB për vitin 2011”, deklaroi dje administratori i përgjithshëm, Gjergj Buxhuku.

Konfindustria, duke marrë shkak nga shenjat e dukshme të keqfunksionimit në vazhdimësi të tregut të karburanteve, i ka kërkuar së fundmi zyrtarisht Kryeministrit Sali Berisha, krijimin dhe fillimin sa më të shpejtë të veprimit të Entit Rregullator të Karburanteve (ERK).

Sipas kësaj shoqate, institucioni në fjalë duhet të shërbejë si vëzhgues dhe rregullator për çrregullimet dhe keqpërdorimet e “cilësisë”, “çmimeve” të karburanteve në qarkullim në Shqipëri sikundër edhe “licencimet” e operatorëve në tregun strategjik të karburanteve si tregu më i madh në vend me qarkullim 850 milionë – 1 miliard euro/vit.

Lidhur me propozimin, Shoqata e Hidrokarbureve deklaron se tregu i karburanteve në vend operon në kushte të plota liberalizimi, me mbi 40 shoqëri të mëdha dhe 1200 pika të shitjes me pakicë.

Sipas shoqatës, prezenca e lartë e shoqërive në treg, duke pasur parasysh edhe procesin e fiskalizimit, e bën të pamundur “kontrollin” e çmimit, por nga ana tjetër, i ka kërkuar autoriteteve të marrin masat për cilësinë e naftës, duke i kontrolluar të gjitha pikat, pa asnjë lloj dallimi.

Top Channel