25 vjet burg për Hamdi Haklajn

21/02/2011 20:30

Pranimi i gjykimit të shkurtuar edhe pse në mungesë, e shpëtoi nga burgu i përjetshëm 72-vjecarin Hamdi Haklaj, i vetmi që ka mbetur gjallë pas vrasjes së katër vëllezërve të tjerë për shkak të gjakmarrjes.

Gjykatësi Gerdi Hoxha dënoi në mungesë Hamdi Haklajn me 25 vite burg, ndërsa gjatë leximit të vendimit gjykatësi tha se për të moshuarin tropojan jepet një dënim i përjetshëm për vrasjen e dy vëllezërve Besim dhe Guxim Demaj, në vitin 1993 dhe 25 vjet burg për vrasjen e Halil Hoxhës në 1998-ën.

Gjykatësi tha se, sipas ligjeve në bashkim të denimeve, i pandehuri dënohet me 25 vjet burg pasi ka pranuar gjykimin e shkurtuar.

I moshuari, sikurse edhe në seancat e mëparshme, përfaqësohej nga avokati i tij mbrojtës Hasaf Haderaj.

Hamdiu, apo sikurse e kanë quajtur “i fundmi i Haklajve”, u arrestua para katër vitesh për llogari të drejtësisë shqiptare, si një nga 10 personat me të kërkuar prej saj, por që për një dekadë nuk ishte rënë në gjurmë të tij.

Pavarësisht arrestimit të deklaruar bujshëm aso kohe nga Ministria e Brendshme, pa kaluar shumë kohë Hamdi Haklaj dhe e motra Zylfie, apo sic njihet ndryshe ne veri, “shota”, fituan azilin politik duke përfituar nga disa deklarata politike në lidhje me ta këtu në Shqipëri, gjatë kohës që ishin në listën e të shumëkërkuarve.

Aktualisht Hamdi Haklaj është një azilant politik, ndërsa emri i tij si i mbijetuari i djemve të Muharrem Haklajt, është ndoshta dëshmia e fundit mbi të vërtetat e vrasjeve të Shkëlqim, Ylli, Halil, Fatmir, Elez, Cen, Sokol dhe Eduart Haklaj.

Top Channel