Rrezikohet tragjedia, piloti ishte në gjumë

19/02/2011 11:55

Një fluturim midis Kopenhagenit dhe Stokolmit rrezikoi të shndërrohej në tragjedi, pasi pilotin e zuri gjumi, ndërsa kolegu i tij kishte shkuar në tualet.

Sipas modifikimeve që janë bërë pas 11 shtatorit 2001, dyert e kabinave të avionëve nuk mund të hapet nga jashtë gjatë fluturimit dhe pilotit të dytë i mbeti vetëm që të shihte me dëshpërim rrjedhën e ngjarjeve.

Në historinë e rrëfyer nga një e përditshme norvegjeze, mësohet se fluturimi ishte i linjës skandinave SAS, ndërsa pasagjerët e klasit të parë, menjëherë pas kabinës së pilotëve, do të kenë mbetur të shtangur nga pamja e pilotit që i binte derës më shqelma dhe grushta.

Për fat të mirë, në fluturim ndodheshin edhe disa stjuardesë meshkujt, të cilët ndihmuan pilotin të shqyente derën dhe të merrte kontrollin, përpara se karburanti të përfundonte dhe linja e SAS të hynte në histori për aksidentin më qesharak të të gjitha kohërave.

Stafi arriti të shmangte panikun duke i thënë pasagjerëve se gjithçka ishte në dorën e pilotit të parë, ndërsa problemi i vetëm ishte një bllokim i thjeshtë i derës.

Ndërkohë, kulla e kontrollit në Kopenhagen kishte dhënë alarmin, pasi avioni po fluturonte jashtë kursit dhe askush nuk përgjigjej në radio.

Ndërsa piloti i përgjumur rrezikon vendin e punës, ngjarja shërben si një rast i mirë për të gjitha kompanitë për të rishikuar orarin e turneve të tyre të punës.

Nën akuzë, piloti mbrohet duke thënë se pas një dite të lodhshme në turnin e dytë, atij i rastisi të punonte të nesërmen në turnin e parë, prandaj nuk mund të flinte gjatë natës më shumë se katër orë.

Ai pranoi se gjatë fluturimit në fjalë e kishte patur të vështirë të mbante hapur sytë, por e kishte të paqartë se si i kishte ndodhur ai “black-out” i plotë, duke e zënë gjumi ulur.

Rasti është unik pasi piloti i dytë ndodhej në tualet dhe duke u përgjumur, piloti që ndodhej në kabinë la avionin në mëshirën e pilotit automatik.

Por, përgjumja në kabinë, nuk është diçka që ndodh për herë të parë. Në një anketë të bërë nga kompania norvegjeze SAS, nga 389 pilotë, 2% pranuan se i zë gjumi rregullisht në drejtim, ndërsa gjysma pranoi se i ka zënë gjumi të paktën një herë.

Top Channel