Qetësohet leku

19/02/2011 16:00

Leku ka filluar ta rimarrë veten ndaj euros pas zhvlerësimit të dy javëve më parë ku arriti pikën më të ulët historike ndaj monedhës europiane në mbi 140.5 lekë.

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, një euro kujtohet aktualisht me kursin zyrtar me 138.8 lekë ose 1.7 lekë më pak se sa dy javë më parë.

Të dhënat tregojnë se në dhjetëditëshin e fundit leku ka fituar pikë në mënyrë konstante ndaj euros.

Ekspertë të bankave e komentojnë forcimin e lekut si një rikthim të pritshëm të kursit të këmbimit në shtratin e tij normal.

Sipas tyre, zhvlerësimi i dy javëve më parë ishte pasojë e një rritje të fortë momentale të kërkesës për euro, e lidhur me kompanitë e huaja private që operojnë në Shqipëri, të cilat gjatë kësaj periudhe të vitit, mbyllin bilancet dhe bëjnë konvertimin e fitimeve nga lek në euro.

Ekspertët thonë kjo rritje e kërkesës nuk u përballua dot nga oferta çka solli kërcimin e euros mbi nivelet 140.5 lekë.

Por ky kurs i monedhës europiane në nivelet mbi 140 lekë ka nxitur ata që kanë euro të shesin duke sjellë rritjen e ofertës në treg e për pasojë edhe zhvlerësimin e saj.

Një proçes ky që, sipas ekspertëve, është korrektim normal i tregut, për t’u stabilizuar në nivelet e mëparshme, ku një euro është shitur në nivelet 138 ose 139 lekë.

Top Channel