Autostradat e vdekjes

19/02/2011 16:10

Specialistet e Institutit të Shëndetit Publik kanë saktësuar se numri i të aksidentuarve në akset rrugore Lushnje –Fier, Fushë Krujë-Lezhë, Tiranë-Durrës mbeten shqetësuese.

Çdo vit në këto akse numri i aksidenteve është shumë i lartë, si pasojë e shpjetësisë, mungesës së sinjalistikës, mosrespektimit të rregullave të qarkullimit rrugor dhe mosadministrimit të rrugëve sipas standardeve të Bashkimit Europian.

Çdo vit në vendin tonë humbasin jetën rreth 317 persona, vetëm si pasojë e aksidenteve rrugore.

Specialisti i Institutit të Shëndetit Publik, Boris Miska vëren probleme edhe në disa nene të Kodit Rrugor të cilat i lejojnë policët rrugor të vendosin gjoba nga 500 lekë e deri në pezullim të lejes së drejtimit, duke lejuar në disa raste që shkelësit e ligjit të mos dënohen.

Gjatë këtyre 20 viteve të fundit në të gjithë vendin janë numëruar mbi 13 mijë aksidente ku më shumë se gjysma e të aksidentuarve kanë humbur jetën si pasojë e dëmtimeve të rënda.

Specialistët thonë se ende në Shqipëri nuk llogariten kostot reale të riaftësimit ose kurimit të aksidentuarve, e cila është barrë e rëndë financiare, jo vetëm për familjet, por edhe për shoqërinë.

Vendet e BE-së 2,5-3% të GDP-së e shpenzojnë për këtë qëllim, shifra që arrijnë në miliarda euro.

Top Channel