Është qyteti i emrave të mëdhenj dhe ngjarjeve historike, vendlindja e Loni Papës, Vath Koreshit, Margarita Xhepës, Ilia Shytit e Vaçe Zelës, disa prej tyre të larguar përgjithmonë, disa të tjerë në udhëtimet e tyre artistike e shpirtërore brenda dhe jashtë kufijve të Shqipërisë.

Nga plejada “e vyer” e qytetit myzeqar takojmë Hasan Dervishin, aktor i humorit dhe themelues i Estradës së Lushnjes. Edhe pse në pension, vazhdon të frekuentojë kino-teatrin që mban emrin e këngëtares së madhe Vaçe Zela.
 
“Ky qytet është shtëpia ime dhe i kam shërbyer çdo ditë. 39 vite në skenë nuk janë pak, por janë më shumë se gjysma e jetës. Janë 39 vjet punë, sakrifica dhe kënaqësi”, tregon Dervishi.

Ka luajtur përkrah aktorëve të njohur të Lushnjes, Hekuran Zhiti, Dhimitraq Nushi, Robert Kamani, Athina Dhimitri, Jolanda Olldashi… Dikur e cilësuar si një nga 7 trupat e humorit më të mira në vend, sot aktori kujton se ku e merrte nektarin e frymëzimit për realizimin e roleve: “Tek një plak me kapele dhe me një palë mustaqe të prera keq.”

Por Lushnja është edhe vendi i ngjarjeve historike. Për nga rëndësia duket se qyteti i vogël renditet pas atij të Vlores.

“Mund të konsiderohet Kongresi i Lushnjes si Pavarësia e dytë e Shqipërisë”, shprehet Albert Sanxhaku, kryetari i Bashkisë Lushnje.

Në fakt, në Lushnje janë mbajtur edhe tre kongrese të tjerë, ai për arsimin, shëndetësinë dhe bujqësinë. Por, Kongresi i Janarit të vitit 1920 me sanksionimin e sovranitetit të Shqipërisë dhe ngritjen e Këshillit të Lartë, i dha famë qytetit që shtrihet në lindje të fushës së Myzeqesë.

Objektet që kujtojnë datat historike pothuajse nuk ekzistojnë më, por kjo shtëpi dykatëshe, e tipit beratas, pronë e patriotit Kaso Fuga, që përmban dokumenta
dhe materiale si dëshmi e asaj kohe, është e vetmja në qytet.

Niko Ferro, me profesion historian, po harton historinë e qytetit të Lushnjes, një
përmbledhje e datave dhe të dhënave shkencore për gjenezën e tij. Nga gojëdhanat
e përfshira edhe në tekst, mësojmë se qyteti shumë herët shtrihej në kodrat e
Vainit, ndërsa objekti më i vjetër është “Ura në Kasharaj” që i ka shërbyer
rrugës së vjetër që lidhte Myzeqenë me Elbasanin.
 
“Disa vite më parë, gjatë hapjes së kullotave të reja dhe për mbjelljen e ullinjve u gjetën objekte që i përkasin Epokës së Gurit që mund të datojnë rreth 3 mijë vjet para Krishtit”, tregon Ferro.

Në qendër të Lushnjës është shtëpia e Artistes së Popullit, Vaçe Zela. Disa thonë që është “Zëri i Artë” i Shqipërisë, disa “Ikona e Shenjtë e Këngës”, epitete për një “emër” të kthyer në legjendë.

Prej disa vitesh jeton në Zvicër, ajo që na ka mbetur prej këngëtares së madhe këtu është “kënga” dhe kjo shtëpi.

“Për vitin 2011 shtëpinë e Vaçe Zelës do ta rikonstruktojmë që të hyjë në fondin e trashëgimisë kulturore”, shton Sanxhaku.

Largohemi nga Lushnja, në këtë ditë shkurti, duke e lënë qytetin në punët e tij të përditshme, atje midis fushave të gjera të Myzeqesë, kryqëzimit të arterieve të mëdha automobilistike, dhe problemeve të zakonshme të një qyteti të zakonshëm.

Top Channel