Belgjikë, azilkërkuesit shqiptarë konstantë

18/02/2011 01:15

16 shtetas shqiptare kanë aplikuar për azil në Belgjikë vetëm gjatë muajit janar 2011. Shifrat zyrtare të Komisariatit belg për Refugjatët dëshmojnë se deri në fund të muajit janar, numri i aplikimeve për azil nga Shqipëria nuk është rritur, por as nuk ka shënuar ulje, në krahasim me periudhën para heqjes se vizave.

Kështu nëse krahasojmë vitet e fundit, në vitin 2008 janë regjistruar 172 kërkesa për azil nga Shqipëria në Belgjike, në vitin 2009 u regjistruan 256 aplikime, e 204 azilkërkues shqiptare u numëruan në vitin 2010.

Të kontaktuar nga Top Channel, autoritetet belge kanë treguar se në muajin nëntor të vitit të kaluar ka pasur 15 kërkesa për azil, pa përfshirë në këtë numër minorenët dhe kërkesat e shumëfishta.

Sipas të njëjtave autoritete, gjatë gjithë muajit dhjetor, në mes të të cilit hyri në fuqi dhe liberalizimi i vizave me Shqipërinë, janë shënuar 14 aplikime për azil. Ndërkohë që në muajin janar të këtij viti ka pasur 16 kërkesa të reja për azil në Belgjikë.

Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, nga Shqipëria nuk vërehet për momentin ndonjë dallgë azilkërkuesish siç ndodhi me Maqedoninë e Serbinë pas liberalizimit të vizave me këto dy vende që në dhjetor të vitit 2009.

Vlen të theksohet që kërkesa për azil në një vend të huaj është një e drejtë universale, e cila nuk lidhet me proçesin e liberalizimit të vizave. Por nëse në muajt në vijim do të rritej numri i azilkërkueseve, për shkak të lirisë së udhëtimit që ofron heqja e vizave, kjo do të vinte në rrezik të gjithë proçesin ashtu siç po ndodh me Maqedoninë dhe Serbinë, shtete të cilat kanë hyrë në listën e 10 vendeve të para për numër të lartë azilkërkuesish në Belgjikë.

Rekordin e mban Kosova, vend i cili nuk gëzon lëvizje të lirë në zonën Shengen,  me 1848 aplikime në vitin 2010, plus 131 kërkesa vetëm për muajin janar të këtij viti, shifra këto që kapërcejnë dhe ato të refugjatëve nga Iraku, Irani, Kongo, Somalia, Pakistani, Rusia dhe Afganistani .

Sipas satistikave të Komisariatit belg të Refugjatëve, numri i personave që përfitojnë statusin e azilantit është më pak se 1% e numrit të përgjithshëm të aplikueseve. Përveç kësaj shanset janë edhe më të vogla, për të mos thënë inekzistente, për ata persona të cilët pa plotësuar kriteret e Konventës së Gjenevës për Refugjatët, por në kurriz të lëvizjes së lirë, do të kërkonin azil pa arsye.  

Ende nuk kanë kaluar 3 muajt e parë që prej hyrjes në fuqi të liberalizimit të vizave me Shqipërinë më 15 dhjetor 2010, ndaj është herët për të thënë nëse vendi e ka kaluar testin apo jo, kur dihet se raporti i parë i Komisionit Europian, i ngarkuar për monitorimin e mënyrës sesi zbatohet ky proçes, do të publikohet për herë të parë vetëm në muajin qershor, pra pas edhe 3 muajve e gjysmë.

Përgatiti: Arta Tozaj

Top Channel