Tahiri: Të ndalet provokimi protestuesve

17/02/2011 23:20

Deputeti socialist, Saimir Tahiri deklaroi Partia Socialiste ka kërkuar vazhdimisht dialog me mazhorancën për të zgjidhur krizën politike, por, sipas tij, dyert e dialogut janë mbyllur nga kryeministri Berisha.

Deputeti socialist, në vijim të fjalës së tij në Top Story vlerësoi se pas 21 janarit, protestuesit e opozitës janë provokuar vazhdimisht. Ai tha se opozita kërkon që të dalin para drejtësisë fajtorët që me udhër qeverie vranë 4 qytetarë të pafajshëm për faktin e vetëm se morën guximin të protestuar.

“Partia Socialiste pas 21 janarit ka kërkuar të ndalohet provokimi i qytetarëve, ka kërkuar transparencë duke dalë para drejtësisë fajtorët që me urdhër vranë 4 qytetarë të pafajshëm vetëm se kishin guximin për të protestuar. PS ka kërkuar hetimin nga organe të pavarura, mos instrumentalizimin e Kuvendit si një armë e Saliut për të sulmuar opozitën dhe institucionet e pavarura kushtetuese. PS ka kërkuar dialog për të zgjidhur krizën, por që është minuar nga Berisha i cili tha se nuk dialogon me puçistët, PS ka kërkuar vazhdimin e protestave, kjo është përgjegjshmëri politike, demonstrata nuk do të thotë papërgjegjshmëri politike”, tha deputeti Tahiri.

Ndërkohë, deputeti demokrat, Aldo Bumçi, citoi raportet ndërkombëtare për zgjedhjet e fundit parlamentare, burimi i krizës politike në vend. Ai tha se raportet ndërkombëtare vlerësojnë se zgjedhjet 28 qershorit pasqyruan vullnetin e qytetarëve shqiptarë. Zoti Bumçi shtoi se mazhoranca zotohet për të bashkëpunuar e respektuar Kodin Zgjedhor konsensual dhe Kushtetutën, por nuk lejon marrjen e pushtetit me dhunë nga ata që ai i quajti “shokë e shoqe të Bulevardit”.

“Rama përshëndeti proçesin zgjedhor duke deklaruar pas tij se nuk ka humbës as fitues. Përfaqësuesi i SHBA-së pranë OSBE-ODHIR-it, tha se rezultati pasqyron vullnetin e popullit shqiptar. Gjithçka që bie dakort me Kodin Zgjedhor konsensual dhe Kushtetutën jëmi dakort ta zbatojmë, por nuk mund të lejojmë shokë dhe shoqe të bulevardit të marrin pushtetin me dhunë. Ulemi për kushteutën dhe kodin zgjedhor, ulemi në çdo moment”, tha deputeti Aldo Bumçi.

Por në replikë e tij, deputeti socialist, Saimir Tahiri argumentoi se vendi nuk është në kushte normale për të diskutuar përmirësimet e Kodit Zgjedhor. Ai tha se Shqipëria është pranë greminës, ekonomike e politike dhe shtoi se zgjidhja vjen vetëm kur Berisha të lëshojë karrigen e kryeministrit, të uzurpuar, sipas tij me vota të vjedhura.

“Nuk jemi në kushte normale për të diskutuar përmirësimet e Kodit Zgjedhor. Shqipëria është buzë greminës për shkak të krizës ekonomike e politike, kur kemi një kryeministër që kërcënon zgjedhjet e lira. Kërkojmë që kjo qeveri mos vazhdojë më mandatin e saj, për shkak se nuk gëzon vullnetin demokratik, për shkak se ka vjedhur zgjedhjet e 28 qershorit. Zgjidhje ka vetëm nëse Berisha lë karrigen që e ka uzurpuar me vota të vjedhura”, deklaroi deputeti socialist, Saimir Tahiri.

Top Channel