Shpërthen Dielli, valët drejt Tokës

17/02/2011 01:50

Një shpërthim i fuqishëm diellor ka shkaktuar rrezatime të fuqishme valësh elektromangetike, të cilat sipas ekspertëve janë nisur drejt Tokës.

I ashtuquajturi “Shpërthimi X” është më i forti i llojit të vet dhe mund të ndikojë sidomos tek mjetet e komunikimit në Tokë. Observatori i NASA-s që mbikqyr aktivitetin e Diellit regjistroi një vërshim të menjëhershëm e të vrullshëm rrezësh ultraviolet nga një njollë diellore.

Pas rizgjimit verën e kaluar nga një periudhë qetësie disa vjeçare, Dielli e ka rinisur me forcë aktivitetin e tij dhe tani thonë ekspertët, një re grimcash po udhëton drejt planetit tonë ku mund të shkaktojnë stuhi të forta magnetike.

Shpërthimi i përbindshëm, siç e quan BBC u regjistrua të hënën dhe drejtimi i tij është pikërisht për nga Toka. Shpërthimet e paparashikuara diellore mund të ndikojnë mbi teknologjinë moderne, duke nisur që nga rrjetet elektrike, sistemet e komunikimit e deri tek satelitët.

Një i tillë shkaktoi më 1972 një stuhi gjeomagnetike që dëmtoi të gjithë rrjetin e telefonisë për distanca të largëta në Ilinois të SHBA-së. Në 1989 një tjetër stuhi e ngjashme, zhyti në errësirë 6 milion vetë në Kebek të Kanadasë.

Aktiviteti i Diellit pritet të vazhdojë për disa ditë.

Top Channel