Shefi i Zyrës Civile Ndërkombëtare në Kosovë, Pieter Faith ka deklaruar në një intervistë për VOA, se 3-vjetori i pavarësisë e gjen Kosovën me shumë arritje por edhe me dështime.
“Mendoj se ka pasur mjaft përparime, vecanërisht në ndërtimin e institucioneve dhe unë do të vecoja këtu institucionet e drejtësisë. Kemi parë procesin e riemërimit të gjykatësve dhe prokurorëve që është zhvilluar në mënyrë shumë të organizuar. Ne po ashtu kemi disa fusha ku do të dëshironim të shihnim më shumë, sic është veriu, ku do të donim të siguroheshim që të ofrojmë kushte më të mira social-ekonomike, shërbime më të mira për qytetarët dhe një gjendje më të mirë të sundimit të ligjit”, ka pohuar Faith.
Faith ka theksuar se vështirësitë po hasen kryesisht në veriun e Kosovës dhe në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
“Ende shpresoj se EULEX-i do të përparojë më shumë në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, por po ashtu e pranoj se është e vështirë. E kam thënë më parë dhe po e them përsëri se Kosova është shoqëri e fshehtësive, ku është shumë vështirë të gjesh dëshmitarë. Kjo është një cështje me të cilën EULEX-i po përballet”, ka nënvizuar Faith.
Zyrtari i lartë evropian ka bërë gjithashtu të ditur se veriu do të jetë pjesë e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Por ai ka hedhur poshtë cdo mundësi të përfshirjes së cështjes së statusit dhe tërësisë territoriale të Kosovës në këto bisedime.
Top Channel