Tunizi, ana komike e një revolucioni

15/02/2011 17:50

Tunizianët e kanë të vështirë të kapin thelbin e realitetit, pas protestave masive që shkaktuan largimin e presidentit Zine al-Abidine Ben Ali, pas 23 vitesh në drejtimin e vendit.

Sipas një reportazhi të “Reuters”, fryma revolucionare që papritmas miliona tunizianë fituan, është shndërruar në komike në shumë aspekte të saj.

Punonjësit e hoteleve refuzojnë të bëjnë punën e tyre nëse nuk do të marrin rritje pagash, punonjësit e telekomit paralajëmruan grevë nëse kompania nuk do të privatizohet, ndërsa punonjësit e aeroportit gjithashtu kanë mbajtur greva me arsye qesharake, të cilat kanë turbulluar trafikun ajror në vend.

Nëpër shkolla, nxënësit refuzojnë të lejojnë zhvillimin e mësimit, në shenjë proteste ndaj mësuesve, ndërsa këta të fundit refuzojnë të japin mësim edhe atëherë kur mund ta bëjnë këtë, në shenjë proteste ndaj Ministrisë së Arsimit, e cila është fajtore nga ana e saj, për faktin që nxënësit janë më të paedukuarit e të gjithë brezave të fundit.

Njerëzit janë “të dehur” me shijen e lirisë, të cilën nuk e provonin që prej më shumë se dy dekadash, por ndërkohë, qeveria e re tuniziane duhet të përballet gjithmonë e më shumë me shqetësimin e rënies së prodhimit në vend.

Shifrat treguan se në janar, eksportet e vendit ranë me 1,5% në krahasim me janarin e një viti më parë dhe kjo, kryesisht për shkak të grevave dhe rënies së rendimentit në punë.

Nëse situata do të vazhdojë, Tunizia papritmas mund të shohë se liria është më e rrezikshme se sa një regjim autoritar.

Top Channel