Rama: Në Strasburg për të denoncuar qeverinë

15/02/2011 19:50

Kreu i opozitës Edi Rama, në intervistë për Top Channel tha se ndodhet në Strazburg, për të informuar eurodeputetët për të vërtetën shqiptare, e cila është shtrembëruar, sipas tij, nga propaganda e Sali Berishës.

Zoti Rama deklaroi ndër të tjera, se Berisha ka gënjyer kur ka thënë se opozita kërkon të bojkotojë zgjedhjet lokale.

“Takimet e mia kanë lidhje me nevojën për të bërë të qarta disa të vërteta që dukshëm u fshihen europarlamentarëve të djathtë nga propaganda e shfrenuar e regjimit të kusarisë në Tiranë. Të vërtetën që ne gjatë gjithë pjesës së dytë të vitit të shkuar kemi luftuar as më shumë e as më pak, po për të vënë në jetë rezolutën e këtij parlamenti, të votuar jo vetëm nga e majta, por edhe nga e djathta europiane që do të kishte zgjidhur krizën e rëndë të zgjedhjeve në Shqipëri. Të vërtetën që ne jemi në parlament dhe që do vazhdojmë të jemi aty duke u ballafaquar me regjimin në hapësirën e parlamentit. Të vërtetën që ne kurrë nuk kemi folur dhe as kemi menduar të bojkotojmë zgjedhjet lokale dhe se për ne bojkoti zgjedhjeve nuk ka qenë dhe nuk është një opsion. Ndërkohë që padyshim ne jemi këtu edhe për të nënvizuar të vërtetën se zgjedhjet lokale në këto kushte nuk mund të bëhen dhe se duhen krijuar kushtet për ti bërë zgjedhjet lokale duke krijuar një kuadër garancish të qarta për çdo qytetar dhe për çdo palë në zgjedhje. Si edhe duke krijuar një klimë ku sigurisht pushteti nuk punon për pushtetin dhe ku policia nuk i vihet në shërbim riciklimit edhe një herë tjetër të pushtetit”, wshtw shprehur Rama.

“Kemi folur dhe vazhdojmë të flasim gjatë gjithë ditës për pikëpamjet tona dhe për qëndrimet tona duke qenë shumë transparent, të drejtpërdrejtë dhe të ndershëm për të vërtetat tona. Që sot janë të vërtetat e një popullit të tërë i cili në një shumicë dërrmuese nuk është më i gatshëm ta tolerojë regjimin e kusarisë dhe do ta vazhdojë të demonstrojë për ato liri dhe të drejta që janë të panegociueshme sepse janë liri dhe të drejta mbi të cilat ngrihet gjithë kjo ngrehinë e Europës së bashkuar, Europës demokratike dhe moderne”, theksoi ai.

Përgatiti Arta Tozaj

Top Channel