Historiku i “imunitetit”

15/02/2011 21:30

Kuvendi i Shqipërisë pritet të miratojë në seancën e të mërkurës nismën e mazhorancës për kufizimin vullnetar të imunitetit për akuzat e korrupsionit aktiv dhe atij pasiv.

Një nismë kjo e mbështetur në modelin gjerman ku deputetet autorizojnë Prokurorinë të nisë ndaj tyre proçedime penale pa patur nevojë të ndjekë proçedurat që parashikohen në rregulloren e Kuvendit.

Në fakt mazhoranca ka kërkuar ta kryejë një reformë të tillë që në dhjetor të vitit 2005 përmes një projekt-vendimi për të cilin u kërkua edhe opinioni i komisionit të Venecias.

Në 20 mars 2006 ky komision ktheu edhe një përgjigje zyrtare ku thuhet se imuniteti parlamentar nuk është një privilegj personal i individëve anëtare të parlamentit kjo shpjegon se pse neni 73,3 i Kushtetutës shqiptare si edhe kushtetutat e tjera europiane garantojnë për një të drejtë të parlamentit për të hequr imunitetin e antarëve të tij.

Gjykata kushtetuese gjermane siç thuhet në opinion ende nuk ka vendosur nëse kjo praktike parlamentare është me të vërtetë kushtetuese, ku dyshimet janë bazuar pjesërisht në shqetësimin se heqja e përgjithshme e imunitetit mund të cënojë punimet e parlamentit si një i tërë, ndërsa ai mund të mundësojë zhvillimin e hetimeve selective arbitrare apo politike.

Këto konsiderata thuhet me poshtë duhet të merren seriozisht.

Nga një pikë vështrimi më e përgjithshme pranimi i heqjes së përgjithshëm të imunitetit parlamentar mund vetëm të gjykohet në kontekstin e sistemit ligjor dhe kushtetues si një i tërë.

Deputetët e parlamentit gjerman kanë të drejtë t’i drejtohen gjykatës kushtetuese individualisht në rast se gjykojnë se u hiqet imuniteti në mënyrë arbitrare.

Një tjetër pikë e cilësuar si mjaft e rëndësishme në opinionin e komisionit të Venecias thekson se një tjetër grup rregullash që mbron ndaj hetimeve arbitrare apo atyre të motivuara politikisht janë ato që garantojnë pavarësinë e Prokurorisë nga influenca politike dhe instruksionet e veçanta apo speciale nga politika.

Për të evituar motivimin politik të iniciatiave të tilla dhe përshatshmërinë e tyre me Kushtetutën, ekspertët thonë se pjesëmarrja e opozitës mund të jetë një garanci e fortë se teksti i propozuar nuk është i motivuar politikisht.

Një reformë e tillë këshillohet të kryhet me 3,5 e të gjithë antarëve të parlamentit.

Thuajse të njëjtin argumentim ligjor i ka bërë projektvendimit edhe Euralius ku kërkohet konsultim i gjerë dhe bashkëpunim me opozitën në një reformë të tillë.

Në mënyrë të fortë theksohet se kategoritë që përfitojnë imunitet në Shqipëri duhet të mbrohen nga shpërdorimi i drejtësisë për arsye politike, kjo edhe për shkak të situatës së ngarkuar politike që mbizotëron në Shqipëri.

Por pavarësisht argumentimeve të komisionit të Vencias dhe Euralius sot mazhoranca mbrohet me faktin se sot iniciativa e tyre ka të bëjë me ndryshimin e rregullores së Kuvendit dhe nuk është një projektvendim si në rastin e mëparshëm.

Top Channel