Shën Valentin, dhurata e puthje

14/02/2011 20:15

Të gjithë ata që janë prekur nga shigjeta e Kupidit, të dashuruarit, sot festojnë ditën e tyre, apo sic njihet botërisht: Shën Valentini!

Festa e merr emrin nga shenjtori dhe martiri kristian Shën Valentin, mbrojtësi i të dashuruarve dhe ka nisur të festohet që në 496-ën.

Një nga ritet më të hershme në festë është shkëmbimi i biletave të urimit, apo Valentinës, një karakteristikë që ka nisur nga vendet anglosaksone, për t’u shpërndarë më pas në një pjesë të mirë të globit.

Por komercializimi i festës, prej vitesh edhe në Shqipëri, ka bërë që tashmë për shumë të dashuruar, festa të mos të konceptohet pa shkëmbimin e dhuratave.

Për një pjesë të tyre mjaftojnë ëmbëlsirat e lulet. Për të tjerë parfume, komplete intime, aksesorë, nëse janë të cmuar akoma më mirë, por edhe dreka, darka në restorante, apo në vitrina për t’u parë nga të gjithë.

Për më të përkëdhelurit pse jo udhëtime jashtë. E kush nuk do ta dëshironte një Shën Valentin në Paris, një nga vendet ideale për propozimet për martesë?

Një luks ky i udhëtimeve, që sipas operatorëve turistikë, shqiptarët këtë vit e kanë shijuar shumë pak krahasuar me vitet e tjera.

Superdhurata, apo një tjetër e tipit “mjafton mendimi”, në ditën e Shën Valentinit e jo vetëm: dashuria mbi të gjitha!

Top Channel