Përtej Tiranës së zhurmshme, me ngjyra e drita, me gjallërinë , rrëmujën e jetën që duket sikur nuk ndalet kurrë, ka një Tiranë tjetër të fshehur, e thuajse të panjohur.

Ishte pikërisht kjo anë e qytetit që u bë subjekt i reportazhit të “Shqipëria Tjetër”, në edicionin qëndror të lajmeve në Top Channel.

Një Tiranë që merr frymë jo larg qendrës, bulevardit, e pallateve shumëkatëshe. Megjithatë, ky qytet tjetër është i heshtur, i çngjyrosur dhe i harruar. Një Tiranë kjo, ku qytetërimi është ende larg.

Në shkurtin e vitit 1920, Tirana u shpall kryeqytet i Shqipërisë, duke u kthyer në kryeqendrën politike, ekonomike e shoqërore të shqiptarëve.

91 vjet më pas, pakkush mund të imagjinojë, e aq më pak të kujtojë Tiranën e atëhershme. Kryeqyteti i fillimit të shekullit të shkuar nuk është zhdukur plotësisht, ai mbetet së bashku me mënyrën e jetesës së një shekulli më parë sapo kalon vijën e verdhë që kufizon Tiranën.

Përgjatë një lugine të fshehur në rrëzën e malit të Dajtit shtrihet Selba, fshati ku jetojnë më shumë se 300 banorë.

Përmes shtëpive të gurta është e pamundur të shohësh qoftë edhe një copëz ndërtimi të ri. Selba ka potretin e një fshati që vjen e jeton thellë, shumë thellë nga një e shkuar e largët.

Në Selbë, gjithçka bëhet me kafshë. Kush nuk ka një të tillë, duhet t’i japë krahëve për të punuar tokën, për të transportuar dru, ushqime e me raste edhe të semurë.

« Këtu punohet ende me kalë dhe me bel, si në kohën e babaqemos », thotë Zenel Shkalla, njëri nga banorët e zonës.

Jeta këtu është thuajse një agoni, në përpjekje për të mbajtur frymën gjallë me cikërrimat qesharake të ndihmës ekonomike.

«Jemi pesë vetë që trajtohemi me ndihmë ekonomike prej 22 mijë lekësh të vjetra në muaj. Çfarë mund të bëjmë me këtë shumë? Herë kemi se çfarë të hamë dhe herë nuk kemi, nuk kemi çtë bëjmë », shton Shkalla.

Mikpritja e varfëria bashkohen në një, në shtëpinë e kërrusur të Lemës, e cila duket sikur do të rrëzohet çast pas çasti.

«S’kemi të ardhura fare, as ndihmë dhe as rroga. E shtyjmë muajin duke ngrënë vetëm misër e groshë », thotë më e moshuara në shtëpi.

Banorët ndihen pjesë e kryeqytetit, edhe pse jetojnë në fakt në një Tiranë krejtësisht tjetër, të cilën mund t’a gjesh sot vetëm në rradhë librash historikë.

«Është turp që një fshat i kryeqytetit të jetë kaq keq », thotë Gëzim Hyka, një prej fatkeqëve që i ka rënë për të jetuar në këtë zonë.

Nga Selba, udhëtojmë drejt Darshenit, fshatit tjetër që i përket Tiranës së sotme, vetëm në regjistrat e pluhurosur e të hedhur kushedi se ku.

Diku, në një cep të fshatit, skamja ka marrë në mënyre drithëruese fytyren e Matildës, nje vajze 6-vjeçare, e cila ka lënë mënjanë lodrat, për të ndihmuar sadopak familjen e varfër.

Edhe pse vetëm një fëmijë, asaj i duhet të punojë me një lopatë për të punuar tokën. Herë pas here ndalet, për t’i dhënë qoftë edhe pak ngrohtesi më shumë doçkave të rrezhgura përpara kohe.

Matilda jeton në këtë shtëpi, nëse mund të quhet vërtet e tillë, së bashku me motrën dhe prindërit e saj.

«Ne s’kemi fare të adhurave. Jetojmë me ato që fitojmë nga toka dhe nga ndonjë punë, çfarë të dalë », thotë Zyra Ahmeti, nëna e të miturës.

«S’kemi çfarë të bëjmë me këto kushte që kemi, s’kemi lekë me ngrënë buke, jo më me rregulluar shtëpinë”.

Në mes të fshatit, si relike ka mbetur një traktor, nga koha kur siç tregojnë banorët në këtë zonë, vinin me dhjetëra të tillë, të cilët punonin tokën për llogari të kooperativës.

Që atëherë e deri sot, asnjë mjet i tille nuk ka shkelur më në Darshen.

«Hamë me pakicë, sepse ndryshe nuk na del deri në fundin e muajit», thotë një banore e varfër e fshatit. «Kështu si janë rritur çmimet, është tepër e vështirë të blesh gjëra, madje edhe mielli është shumë i shtrenjtë».

Në shtëpinë ngjitur, skamja migjeniane mishërohet tek familja Balliu, dy prindër, djali dhe vajza qe vuan nga një keqformim në shtyllën kurrizore që prej lindjes.

Një Tiranë feston ditëlindjen e 91, ndërsa tjetra dergjet vetëm pak kilometra më tej në kohë të largëta.

Kjo është Tirana e panjohur, kryeqyteti që ruhet sot zyrtarisht vetëm ndër fotografi të vogla e të zverdhura, Tirana që jeton jo vetem në Selbë, jo vetëm në Darshen, por edhe më tej në fshatrat Fag, Derje, Dom e Parpunj.

Kjo është Tirana e braktisur që ka shtetërore, si për ironi, vetëm sahatet e energjisë elektrike të vendosura në çdo kasolle.

Ky është kryeqyteti pa rruge, drita e ujë, Tirana tjetër e harruar nga politika, diku tej, në fillimin e vitete 1900.

Top Channel