Baleta: Kombësia s’mund të ndërrohet

14/02/2011 22:30

I ftuar në Shqip, në Top Channel, specialisti i së drejtës ndërkombëtare, Abdi Baleta kritikoi ligjin për regjistrimin e popullsisë në Shqipëri.

Zoti Baleta solli si shembuj edhe disa nene nga konventa për të drejtat e pakicave, ku sipas tij, nuk parashikohet ndërrimi i kombësisë.

“Neni 3 ka interpretim autentik nga konventa, paragrafi 1 garanton cdo person të pakicës kombëtare për të deklaruar nëse është apo jo si pjesë e asaj pakice, por jo personat që nuk janë pjesë e pakicës. Formulari regjistrimit duhet grisur, nëse do të mbetet kështu do të bëhet spekulim i madh. Një pjesë e njerëzve do të hyjnë në vetëvrasje kombëtare dhe do të hyjmë në konflikt më të madh mes Shqipërise dhe Greqisë”, tha zoti Baleta.

Më tej Baleta vlerësoi punën e nënkryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu si një shërbim ndaj kombit.

“Zoti Spahiu ka bërë një shërbim shumë të lartë ndaj kombit duke treguar defektet e gjykatave. Po vazhduam kështu dikush mund ta humbasë parajsën”, tha Baleta.

Specialisti i marrëdhënieve ndërkombëtare deklaroi se formulari aktual i regjistrimit të popullsisë është ndërtuar qëllimisht dhe është një formë e genocidit 90 vjecar grek.

Top Channel