PD akuza Ina Ramës

13/02/2011 20:15

Pas akuzave lidhur me cilësimin ose jo si grusht shteti të ngjarjes së 21 janarit, një tjetër kapitull akuzash është hapur mes prokurorisë dhe mazhorancës, ajo e nxjerrjes së sekretit të hetimit.

Pas deklaratave të prokurorisë së sekretet kanë dalë nga Kuvendi, kryetari i grupit parlamentar demokrat, Astrit Patozi, tha se ky është një tregues se zonja Rama ka vendosur të sulmojë dhe akuzojë çdo institucion që i rezistoi grushtit të shtetit.

“Përmes një deklarate të pacipë, zonja që drejton akuzën në Shqipëri, guxoi ta drejtonte gishtin pikërisht mbi institucionet, që rezistuan dhe bënë që të dështojë dhuna dhe barbaria e 21 janarit, e cila planifikonte përmbysjen e qeverisë legjitime të kësaj mazhorance. Prokurorja e Përgjithshme, që ka kurajo të sulmojë parlamentin, është në fakt përgjegjësja e vetme për nxjerrjen e përditshme të cdo elementi të hetimit për grushtin e shtetit, të cilin ajo dhe të tjerë e konsiderojnë thjesht si ngjarja në Bulevard. Ndërkohë më duhet të shpreh shqetësimin dhe indinjatën e thellë edhe për vendimin e saj të fundit për arrestimin e 4 gardistëve të tjerë, pa asnjë hetim dhe provë që të mbështesë dyshimin. Duke dënuar me forcë këto veprime me një sfond të pastër politik, ne i sigurojmë qytetarët shqiptarë, se pavarësisht përpjekjeve të qarta të “zonjave” dhe “zotërinjve” të Bulevardit për të bllokuar apo dështuar hetimet, kjo mazhorancë është e vendosur dhe do t’ia dalë që të zbardhë përfundimisht grushtin e dështuar të shtetit. Autorët dhe aktorët  e 21 janarit do t’i mbajnë të gjitha përgjegjësitë”, tha kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Astrit Patozi.

Top Channel