78 të ndaluar në fundjavë

13/02/2011 15:15

Policia ka arrestuar gjatë fundjavës 29 persona të akuzuar për krime të rënda. Drejtoria e Përgjithshme e Policisë ka bërë të ditur se gjatë një operacioni në shkallë vendi ndaloi në flagrancë 78 personave të dyshuar për krime te ndryshme, 49 prej të cilëve do të ndiqen penalisht në gjendje të lirë.

“Është bërë e mundur kapja në flagrancë e 78 personave të akuzuar për krime të ndryshme, ndër të cilët 29 janë arrestuar e ndaluar për vepra të tilla penale si: vrasje, vjedhje me dhunë, prodhim e shitje narkotikësh, vjedhje, armëmbajtje pa leje etj. Janë kapur 18 persona të shpallur në kërkim, ndër të cilët një person i shpallur në kërkim ndërkombëtar për vrasje, janë bllokuar 16 armë zjarri të llojeve të ndryshme, si dhe sasi të konsiderueshme fishekësh dhe lëndë plasëse, të cilat mbaheshin pa leje”, deklaroi Laura Totraku, Specialiste e Zyrës së Shtypit në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

Në Lushnjë, në kuadër të operacionit policor të koduar “BUNKERI”, u arrestuan tre shtetas të cilëve iu gjetën gjatë kontrollit të banesave 5.2 kg kanabis sativa, si edhe armë që i mbanin pa leje. Të tre këta shtetas u arrestuan në fshatin Konjat të Lushnjes, pasi kishte të dhëna se tregtonin bimë narkotike. Një pjesë e madhe e kanabisit të sekuestruar dhe një sasi e madhe municioni u gjet në një bunker, që ndodhej në tokën në pronësi të tyre.

Ndërsa në Durrës gjatë një kontrolli rutinë të policisë në vendin e quajtur Ura e Dajlanit, në automjetin e një shtetasi u gjet 6 kg heroinë. Policia e qytetit bregdetar sqaroi se ka arrestuar një person të dyshuar si transportuesin e drogës, dhe tha se është duke hetuar në lidhje me persona të tjerë të përfshirë në këtë trafik.

Top Channel