Dhuna në 21 janar, në Tiranë një tjetër zyrtar i KE-së

12/02/2011 18:45

Pak ditë pasi një delegacion i Komitetit të Parandalimit të Torturës, ishte në kryeqytet për të hetuar dhunën ndaj disa demonstruesve përgjatë 21 janarit, një tjetër zyrtar i Këshillit të Evropës vjen në Shqipëri për të marrë të dhëna mbi të njëjtat ngjarje.

Nga burime jo zyrtare mësohet për TCH se komisioneri i lartë i të drejtave të njeriut Tomas Hamarberg në Këshillin e Europës viziton të dielën Shqipërinë dhe se në axhendë do të ketë ngjarjet e 21 janarit.

Komisioneri i të drejtave të njeriut mbërrin në Tiranë për të parë nga afër, se sa janë respektuar të drejtat e shtetasve përgjatë demonstratës.

Po kështu, komisioneri Hamarberg është parashikuar të ketë një axhendë të shumë të ngjeshur takimesh dhe vizitash me funksionarët me të lartë të shtetit, institucionet e paravarura si Prokuroria e Përgjithshme, Avokat i Popullit dhe me disa OJF që mbrojnë të drejtat e njeriut në vendin tonë.

Kryefjalë e takimeve pritet të jetë shqetësimi për dhunën e ushtruar nga policia dhe garda në 21 janar dhe për veprimet e ndërmarra nga qeveria shqiptare për të respektuar të drejtat e njeriut dhe pavarësinë e institucioneve.

Top Channel