Arratisje spektakolare, film heroit gjerman

12/02/2011 12:45

Historia e rrallë e të vetmit gjerman të burgosur lufte që ka mundur të arratiset ndonjëherë nga Britania, është shndërruar në një film.

Siç informoi “The Sun” ditën e sotme, filmi i dedikohet nëntogerit Gunther Pluschow, i cili mundi të rikthehej në atdhe pasi u arratis nga një kamp të burgosurish në Derbishajër, në vitin 1915.

Historia e rrallë e heroit gjerman të Luftës së Parë Botërore nisi në Kinë, në pjesën e vendit që ishte koloni gjermane.

Menjëherë pas fillimit të luftës, 28-vjeçarit Pluschow, iu desh të shpërngulej me avionin e tij njëvendësh në një bazë të sigurtë, nën zjarr të rëndë nga anijet britanike në bregdet.

Pasi përfundoi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nëpërmjet një anije transoqeanike dhe një pasaporte fallso, gjermani udhëtoi nga Nju Jorku në Gjibraltarin e kontrolluar nga britanikët, me një mision spiunazhi.

Një përkthyes i paaftë bëri që të zbulohej identiteti i vërtetë i Pluschow-it dhe ai përfundoi në një kamp përqendrimi për të burgosurit gjermanë në Angli.

Megjithatë, në rastin më të parë që iu krijua, ai u ngjit mbi muret dhe telat me gjermba të lartë pesë metra, duke u arratisur nga burgu.

Pluschow tentoi katër ditë me radhë të lundronte për në Holandë me një barkë me rrema, por koha e keqe e pengoi. Gjithsesi, në fund ai doli të mbërrinte në vendin e tij pas shumë peripecish.

Kajzeri Vilhelm e dekoroi me medaljen e kryqit të thyer me vetë dorën e tij. Historia e Pluschow-it kishte mbetur e pluhurosur në dokumentat e kohës, deri kur disa studiues britanikë ranë në gjurmët e historisë së tij të rrallë dhe zbuluan dokumentet e jetës së mbushur me peripeci të gjermanit.
 

Top Channel