Një kryq apo një diell? Një inicial emri apo një simbol kinez? Një gur të çmuar apo një krokodil?

Këto janë simbolet kryesorë që shoqërojnë sot varëset, një aksesor shumë i rëndësishëm për veshjen e njeriut.

Elementë të ndryshëm që kanë një simbolikë të caktuar janë përshtatur në modën dhe në vendin tonë. Të mahnituar nga bukuria apo misticizmi që shoqëron shumë objekte adhuruesit e bizhuterive kanë zgjedhur t’i bashkëngjitin ato në varëse.

“Simbolet më të preferuara janë kafshët e ndryshme si breshkat, yjet e detit, fluturat ose delfinat. Edhe simbolet fetare preferohen. Kryqet janë më të përhapurit, ndërsa gjysmëhëna më pak”, shprehet një shitës i këtyre simboleve.

Megjithëse nuk mund të bëhet një ndarje se cilat janë kategoritë që preferojnë më shumë zbukurimin e varëseve me aksesorë të tjerë, kjo tendencë është më e përhapur tek moshat e reja: “Më shumë përdoren nga 12-25 vjeçarët. Vendosin më shumë simbole që kanë të bëjnë me muzikën.”
Por, shijet ndryshojnë jo vetëm nga moshat. Duke pasur parasysh edhe çmimin, shpeshherë meshkujt dhe femrat ndahen në aksesorët e preferuar.

“Meshkujt përdorin më shumë tribalet ndërsa vajzat përdorin më shumë simbolet me kristale sepse kanë më shumë sy”.

Aksesorët zbukurues në botë kanë shekuj që përdoren, por në vendin tonë ato janë futur relativisht vonë. Simbolika që ato mbajnë ka kuptime të ndryshme deri në shprehjen e dashurisë ndaj një personi.

Por ka edhe nga ata që përdorin simbole të caktuara për t’i ndihmuar apo për t’i mbrojtur nga fati i keq.
Në zgjedhjen e varëseve dhe aksesorëve shoqërues, edhe pse jo me ndonjë simbolikë të caktuar në dukje, njerëzit priren t’i marrin edhe thjesht për të pasur sa më shumë bizhuteri për t’i kombinuar me rrobat.

Por ndodh që njerëzit jo gjithmonë t’i zgjedhin vetë objektet që shoqërojnë varëset, shpesh herë ato janë dhurata. E në raste të tilla edhe pse jo me një nënkuptim të caktuar njerëzit i mbajnë këto simbole.

FOTO GALERI
2/3

Top Channel