Shqiptarët në botë, nga Alaska në Zelandë

10/02/2011 19:25

Gjeografia e shpërndarjes së shqiptarëve nëpër botë është po aq e gjerë sa shtrirja fizike e saj. Reportazhi i emisionit të pasdites në Top Channel iu dedikua pikërisht shtrirjes së diasporës shqipare nëpër botë.

“Është interesante të thuhet se s’ka vend të botës që të mos ketë shqiptarë, duke filluar që nga Alaska e deri në Zelandën e Re”, thotë Roland Bimo, drejtori i Institutit Kombëtar të Diasporës në Ministrinë e Jashtme.

”Ka vende ku prezenca është shumë e vogël, vetëm një apo dy familje, por nga të dhënat tona rezulton se ka shqiptarë kudo.

”Shqiptarë mund të gjesh në të gjitha vendet e lindjes së Mesme, Katar, Abu Dabi, Tajlandë etj. Diplomatët tanë, kudo që shkojnë në cepat e largët të globit, është e pamundur të mos gjejnë bashkëkombas”, shton ai.

Historikisht, fillimet e diasporës shqiptarë datojnë pas vdekjes së Skënderbeut, me emigrimin e shqiptarëve në drejtim të Italisë, arbëreshët  e arvanitasit në Greqi.

”Ka shqitparë që kanë një të kaluar historike në Ukraninë, në rrethinat e Odesas, ashtu si në Bullgari e në vende të tjera fqinj që në kohët e mesjetës. Më vonë fillon emigrimi në Amerikë, Argjentinë, Australi ku edhe sot ka komunitete të mëdha”, vazhdon Bimo.

Shqiptarët mund të jenë ndër popujt më të fundit europian që kanë emigruar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nga të dhënat, rezulton se emigranti i parë shqiptar i regjistruar në Amerikë ishte Kolë Kristofori, prej fshatit Katund të Korçës.

Ai arriti në kontinentin e ri në vitin 1884 dhe shërbeu si bërthamë magnetike për emigrantët e tjerë shqiptare që rriteshin në numër vit pas viti. Aktualisht, sipas të dhënave të Ministrisë së Jashtme të Shteteve të Bashkuara, jetojnë rreth 500 mijë shqiptarë apo amerikano-shqiptarë.

Motivet e emigrimit të shqiptarëve janë të ndryshme, sipas periudhave kohore. Nëse në shekujt e mëparshëm ata emigruan për shkak të pushtimeve, vitet e fundit shqiptarët janë larguar nga vendlindja për shkaqe politike, ekonomike dhe profesionale.

Pjesa më e madhe e tyre i ruajnë traditat dhe gjuhën, vlejnë të përmenden këtu arbëreshët e Italisë, të cilët e bëjnë këtë gjë prej më shumë se 500 vjetësh.

”Është interesane të thuhet se shqiptarët adaptohen shumë mirë në vendet ku emigrojnë, arrijnë të bëhen shembuj pozitive madje, por kjo s’i pengon që të ruajnë dhe traditat”, përfundoi Bimo.

Megjithëse nuk ka statistika të sakta për shqiptarët me banim jashtë, pasi shpesh nga vendet pritëse nuk bëhet diferencimi nëse janë shqiptarë të Shqipërisë apo të trevave të tjera shqiptare në rajon, komunitetet më të mëdha shënohen në këto vende:  

Shtetasit shqiptarë nëpër botë

Greqi                   700 000
Itali                     500 000
SHBA                   500 000
Britani e Madhe      50 000
Gjermani               25 000
Kanada                 25 000
Belgjikë                  5 000
Turqi                      5 000
Francë                    2 000
Austri                     2 000
Zvicër                     1 500
Holandë                  1 000

FOTO GALERI
1/3

Top Channel