Pogradec, korani drejt zhdukjes

10/02/2011 17:05

Gjuetia e koranit në ujërat e liqenit të Pogradecit vijon të kryhet pa kriter. Varka të shumta dalin në liqen në këtë periudhë kur është e ndaluar rreptësisht gjuetia për shkak të shumimit dhe grumbullimit të vezëve.

Organizata e menaxhim-peshkimit ka vënë alarmin se varkat hyjnë në liqen duke peshkuar si në cdo periudhë tjetër të vitit, edhe pse janë të paracaktuara vetëm 40 varka dhe përkatësisht peshkatarë të cilët duhet të angazhohen për grumbullimin e vezëve dhe të rasatit të peshkut.

“Sivjet ka qenë viti më problematik. Janë zhdukur të gjitha breznitë e koranit. Janë zhdukur të gjitha këto brezni dhe nuk ka koran për riprodhim”, deklaron Adriatik Dokollari, kryetar i Organizatës së peshkimit.

“Gjuetia vazhdon dhe madje në masë. Këtu qyteti rri dhe ruan, por në fshatra ndodh e kundërta”, thotë Pertrit Merko, peshkatar.

“Problemi ka qenë shumë i madh. Qyteti ka zbatuar ligjin, ndërsa fshati është shumë keq”, shprehet më tej kolegu i tij Thoma Sinjaku.

Gjuetia e koranit, e ndërprerë në shtetin fqinj në këtë periudhë nuk ka të njëjtin efekt dhe nga ana shqiptare e liqenit.

“Kontrollet e ushtruara nga Inspektoriati i Peshkimit kanë vijuar. Janë kryer dy kontrolle nga 1 dhjetori në 1 janar, përiudhë që koincidon me ndalimin e gjuetisë. Janë sekuestruar varka, motorë, dinamit, rrjeta dhe grepa”, deklaron Leonard Manellari, drejtues i Inspektoriatit të Peshkimit.

Cdo vit në liqen hidhen rreth 1 milion rasate për kryerjen e mbarështimit në muajt shtator dhe tetor, ndërkohë që deri në fund të muajit shkurt nuk lejohet gjuetia.

Top Channel