Bankat fitojnë 50 milionë dollarë

10/02/2011 08:15

Sistemi bankar në Shqipëri jo më kot tërheq investitorë të huaj, të cilët për çdo vit ofrojnë shuma të majme për të pasur aksione dhe fituar kontroll te bankat tona.

Rezultatet tregojnë qartë se është sektori më fitimprurës, pavarësisht situatës së krizës financiare. Të paktën, deri në nëntor të vitit të kaluar, bankat në Shqipëri kanë akumuluar një fitim prej 5.2 miliardë lekësh, ose rreth 50 milionë dollarë, nivel tepër i lartë, ose dy herë më i madh se në vitin 2009-n, kur sistemi përjetonte situatat më të vështira.

Shifrat zyrtare mbi të ardhurat e bankave nuk kanë dalë ende, por të dhënat paraprake të deklaruara nga vetë Shoqata e Bankave të Shqipërisë, konfirmojnë për situatën pozitive që po përjetojnë subjekte financiare në vendin tonë.

Aktualisht, bankat janë vendosur në qendër të kritikave nga kreu i qeverisë, Sali Berisha, duke i konsideruar tarifat për shërbimet që ofrojnë si tepër të larta dhe anormale. Madje, Kryeministri ka kërkuar nga ministri i Financave të vendosë një taksë ekstra për fitimet e bankave, por duket se projekti ka mbetur në mes të rrugës.

Statistikat zyrtare të Bankës së Shqipërisë, paraqesin një panoramë akoma e më të qartë, për sistemin bankar në vend. Të paktën deri në muajin nëntor, bankat rezultojnë me të dhëna pozitive sa u takon depozitave, të cilët në këtë muaj u rritën me 11 miliardë lekë, duke arritur në 772 miliardë lekë.

Brenda një muaji, depozitat në sistemin bankar u rritën me rreth 1.4 për qind, kurse që prej fillimit të vitit, me gati 13.4 për qind.

Sa i takon kredisë, edhe pse me nivele modeste në raport me vitet e kaluara, shifrat paraqiten me rritje, duke treguar se bankat kanë gjetur besimin për të financuar ekonominë.

Në fund të muajit nëntor, portofoli i kredive u rrit me 14 miliardë lekë, ose me gati 3 për qind, duke prekur nivelin total të rreth 476 miliardë lekëve. Duke parë ecurinë e vitit 2010, nëntori tregon nivelin më të lartë të kreditimit, ndërsa mesatarja vjetore qëndron sërish e ulët, rreth 8 për qind, nga 30 për qind që ishte katër vite më parë.

Të dhënat me rritje kanë krijuar bindjen edhe te ministri i Financave se ekonomia shqiptare në vitin 2011 do të paraqesë zhvillime pozitive. Sektori bankar konsiderohet shtylla kryesore për ekonominë e një vendi, treguesit e të cilës ndikojnë në hartimin e planeve për skenarët e rritjes ekonomike.

Top Channel