Berisha pret “Shqiponja 1”

09/02/2011 01:45

Kryeministri Sali Berisha i rezervoi një ceremoni të vecantë mirëseardhjeje trupave komando të sapo kthyera nga Afganistani. (UPDATE)

Njësia komamdo “Shqiponja 1” operoi për 6 muaj në Kandahar, në zonën më të nxehtë të luftimeve, që deri para disa muajsh kontrollohej nga talebanët.

E dekoruar me disa urdhëra të lartë nga komandanti i ushtrisë amerikane në Afganistan, gjenerali, David Petraeus,  njësia komando “Shqiponja 1”, vlerësohet se e ka kryer me sukses dhe dinjitet misionin e saj të luftimit.

“Ju, për 6 muaj, për çdo ditë e natë, në çdo kohë e mot, ndërmorët në fushat e kodrat e Kandaharit qindra e qindra misione, detyra luftarake të suksesshme dhe u kthyet gjithnjë fitimtar në njësinë tuaj ushtarake, në Brigadën 525 të Ushtrisë Amerikane, duke nderuar kështu flamurin tonë kombëtar, flamurin e Aleancës së Atlantikut të Veriut. Zoti ju bekoftë!”, tha kryeministri Berisha në fjalën e tij të mirëseardhjes.

Misioni i njësisë komando “Shqiponja 1”, i cili është zëvendësuar në Kandahar nga një njësi tjetër, edhe për 6 muaj të tjerë, veproi nën komanden amerikane, duke marrë pjesë në operacione, që klasifikohen si shumë të rrezikshme.

Sic thotë kryeministri Berisha, njësia komando “Shqiponja 1”  do të mbetet në historinë e Forcave të Armatosura si misioni i parë paqeruajtës luftarak që ndërmerr ushtria shqiptare, pas anëtarësimit të vendit në Aleancën e Atlantikut të Veriut.

Top Channel