Ruli i “siguron digat” pa tender

08/02/2011 08:00

Ministrit të Bujqësisë, Genc Ruli, i jepet mundësia të shpenzojë rreth 12 milionë dollarë për sigurimin e digave në disa lumenj në veri të vendit, të cilat u dëmtuan gjatë përmbytjeve nga hidrocentralet dhe reshjet.

Sikurse e parashikon ligji, shpenzimet për punë publike dhe objekte kryhen pasi të ketë përfunduar gara mes firmave private, nga e cila shpallet fituesi që ofron çmimin më të ulët, e ku më pas i jepet e drejta e investimit.

Duke qenë se situata në veri të vendit duket e rëndë, me diga lumenjsh të dëmtuara dhe me argjinatura të shembura nga përmbytjet, qeveria e gjykoi t’ia jepte të drejtën ministrit të Bujqësisë, të operonte me shpenzimet, pa i kaluar objektet me tender.

Ministria e justifikon këtë procedurë me faktin se nuk ka shumë kohë në dispozicion, pasi në rast se i kryen investimet sipas ligjit të prokurimeve, afatet janë të gjata dhe rrezikojnë planin.

“Është marrë kjo masë urgjente, pasi nëse do të ndiqeshin procedurat normale të prokurimit është e pamundur përfundimi i tyre brenda vjeshtës së këtij viti”, sqaron ministri Ruli, në relacionin që shoqëron aktin normativ.

Në fakt, ishte vetë Ministria e Bujqësisë dhe Ushqimit që e shkaktoi vonesën për prokurimin normal të digave. Të dhënat tregojnë se dikasteri që drejton Genc Ruli i kishte të gjitha mundësitë për të vepruar në kohë brenda vitit 2010, por dështimi me planin dhe mosrealizimi si duhet i investimeve, solli situatën kritike.

Një pjesë e përgjegjësi i takon edhe vetë Kryeministrit Berisha, i cili urdhëroi ndalimin e të gjitha investimeve të planifikuara për t’u kryer pas datës 1 gusht.

Top Channel