Pretenca për Lekan dhe Tafën

08/02/2011 20:35

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka kërkuar 16 vjet heqje lirie, për Romeo Lekan, të riun, i cili grabiti një bankë dhe mori peng një shtetase në afërsi të selisë së Presidencës.

Gjatë pretencës prokurori Adnand Xholi, e ka cilësuar fajtor të pandehurin Leka, për akuzat e heqjes së lirisë së tjetrit dhe grabitje banke.

Gjatë kërkesës së tij, ai ka kërkuar 16 vjet heqje lirie dhe 2.1 milionë lekë gjobe.

Për shkak se Romeo Leka ka kërkuar gjykim të shkurtuar në këtë çështje, i ulet 1/3 e dënimit në 10 vjet e 8 muaj si edhe gjobë 1.4 milionë lekë.

Prokuroria hodhi poshtë në akuzën e saj pretendimin për probleme mendore të të pandehurit.

Një tjetër pretencë është lexuar në Gjykatën e Krimeve të Rënda, ajo për shtetasin Zaim Tafa, i cili akuzohet për trafik droge në bashkëpunim me tre shtetas gjermanë të kapur disa vjet më parë me 40 kg heroinë në Kakavijë.

Prokuroria ka kërkuar 13 vjet burg për të, duke ndryshuar akuzën nga “trafik ndërkombëtar droge”, në “tentativë për trafik droge”.

Prokuroria është shprehur edhe për bar-restorant-hotel “Kështjellën” në pronësi të të akuzuarit e cila lirohet nga sekuestrimi për shkak se nuk u gjetën prova se ky hotel ishte ndërtuar me para që vijnë nga trafiqet e paligjshme. Zaim Tafa gjykohet në gjendje të lirë.

Top Channel