OSBE, apel për zgjedhjet

08/02/2011 11:40

Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Eugen Wollfarth u ka bërë sërish apel partive politike shqiptare që të nisin përgatitjet për zgjedhjet lokale.

Wollfarth ka deklaruar se subjektet politike duhet të dorëzojnë sa më parë në KQZ propozimet për anëtarët e Komisioneve Zonale të Administrimit Zgjedhor.

“Jam jashtëzakonisht i shqetësuar në lidhje me problemet që po has aktualisht KQZ-ja. Nga 66 Komisione të Zonave të Administrimit Zgjedhor, vetëm 12 prej tyre janë ngritur pjesërisht brenda afatit të 7 shkurtit 2011”, ka deklaruar Wollfarth.

Ai ka theksuar se, në bazë të Kodit Zgjedhor dhe të dekretit të presidentit të Republikës, KQZ-ja duhet të vazhdojë urgjentisht me të gjitha përgatitjet e nevojshme për zgjedhjet e planifikuara për më 8 maj 2011.

Ambasadori ka shtuar më tej se zgjedhjet janë një e drejtë e popullit dhe për rrjedhojë partitë politike duhet të bëjnë gjithcka për realizimin e saj.

“Një situatë e tillë tregon një shpërfillje të hapur për aspiratat demokratike të qytetarëve shqiptarë nga partitë politike. Unë u bëj thirrje partive politike të respektojnë të drejtën e qytetarëve për të votuar dhe për ta adresuar këtë cështje në mënyrë të menjëhershme, pasi dita e zgjedhjeve po afron”, ka shtuar Wollfarth.

Top Channel