Opozita sërish në Bulevard

08/02/2011 20:20

Partia Socialiste dhe opozita në tërësi do të zbresin sërish në 18 shkurt në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, në ditën që përkon me të premten e katërt që pas demonstratës së 21 janarit ku mbetën të vrarë 4 protestues.

Burime nga selia roze konfirmojnë organizmin e kësaj demonstrate këtë herë, sipas tyre, jo vetëm me arsyen për vjedhjen e zgjedhjeve dhe dorëheqjen e qeverisë, por edhe me kërkesën për drejtësi për të vrarët nga ana e Gardës së Republikës.

Organizatorët këmbëngulin se pavarësisht rikthimit në boulevard, demonstrata do të jetë e qetë dhe pa tensione dhe për këtë do të merren të gjitha masat nga opozita.

Po të njëjtat burime konfirmojnë për Top Channel se deri në këto momente nuk parashikohen demonstrime të tjera deri në datën 18 shkurt, një vendim ky që do t’i jepte kohë opozitës të organizojë në këtë datë, sipas tyre, një demonstratë edhe më masive se të mërparshmet.

Top Channel