Meta: Ekspertiza jonë, ndryshe

08/02/2011 20:15

Ilir Meta u paraqit me dy avokatët e tij për të publikuar konkluzionet e një studioje ligjore ndërkombëtare, e cila ka bërë ekspertimin e videos, që po hetohet nga Prokuroria. (UPDATE)

“Në sekuencat filmike ku shfaqen duke biseduar dy persona, të njohur si Dritan Prifti dhe Ilir Meta konstatojmë montime televizive në zë dhe figurë. Midis transkriptimit të bërë të videos dhe përmbajtjes së titrave të paraqitura e transmetim, ka mospërputhje të shumta dhe esenciale, që deformon përmbajtjen e bisedës”, është shprehur avokati Petrit Serjani.

“Ekspertiza, e cila është e standardeve ndërkombëtare, e cila është ligjore, tregoi se videoja e paraqitur ishte një masakër nga pikëpamja profesionale televizive”, theksoi Meta.

Zoti Meta nuk bëri të ditur emrin e studios ligjore, por tha se do ta publikojë shumë shpejt, pasi ajo të bëhet pjesë e grupit të avokatëve të tij. Kryetari i LSI-së u tregua kritik ndaj Prokurorisë, që gati një muaj pas publikimit të videos, nuk ka ende asnjë konkluzion zyrtar.

“Mendoj se proçesi i hetimit ka ecur me hapin e breshkës. Jam këtu për të apeluar edhe njëherë tjetër në përpshpejtimin e këtij proçesi hetimi, që është i rëndësishëm edhe për vetë kredibilitetin e Prokurorisë. Unë nuk kam bërë dhe nuk bëj presione ndaj Prokurorisë për këtë çështje. Kam qenë dhe jam i disponueshëm për të bashkëpunuar me të në çdo moment, por absolutisht, askush nuk ka të drejtë të zvarrisë këtë process dhe prokuroria nuk duhet të lejojë askënd të flasë në emër të saj, duke politizuar në mënyrë të qëllimshme këtë hetim, i cili duhet të jetë vetëm transparent dhe ligjor”, tha Meta.

I pyetur nëse është në dijeni të ndonjë videoje tjetër, zoti Meta u përgjigj.

“Janë të lirë të publikojnë, të botojnë gjithçka që dëshirojnë. Unë e kam thënë edhe më parë, që ekzistenca e kësaj videoje është përdorur si mjet shantazhi për të realizuar një koalicion tjetër, gjë që nuk ka ndodhur. Unë kam qenë dhe jam i qetë, sepse asnjëherë në jetën time nuk kam shkelur ligjin dhe jam i bindur, sikurse kam thënë edhe më përpara, që ky do të jetë proçes spektakolar. Edhe po nuk patën kurajon të tjerët ta çojnë në gjyq, do ta çoj unë këtë”, deklaroi Meta.

Top Channel