Protesta kundër Berlusconi

07/02/2011 10:00

E diela e përballi kryeministrin italian Silvio Berlusconi me një tjetër demonstrim pakënaqësie ndaj tij.

Për të dytën herë brenda fundjavës, mijëra vetë u mblodhën përpara vilës së 74-vjeçarit në Milano për të protestuar, siç thanë, kundër festave të shthurura të kreut të qeverisë.

Disa me paruke shumëngjyrëshe, të tjerë me pankarta e flamuj në duar, këndonin duke vënë në lojë kryeministrin për jetën e tij private.

“Ne nuk jemi shtet europian, ne duhet të krahasohemi me Burundin apo Zimbabven. Në çdo vend tjetër të Europës, askush nuk do të zgjidhej dot as deputet pa disa norma të caktuara normale. Kurse ne një njeri të tillë e bëmë dhe kryeministër”, shprehet një protestues.

Vila e Berluskonit në kryeqytetin financiar të Italisë, thuhet të jetë vendi ku organizoheshin festat pa fre të Berlusconit.

Prokurorët në Milano besojnë se kreu i ekzekutivit ka paguar në këto festa prostituta minorene, përfshirë edhe një marokene 17 vjeçare, kërcimtare e një klubi nate.

“Corriere della sera” flet për përplasje të dhunshme mes protestuesve me policinë dhe të plagosur nga të dyja palët, por më shumë nga forcat e rendit.

Në mesin e të lënduarve është edhe një gazetar.

Berluskoni vazhdon të mohojë çdo akuzë të ngritur ndaj tij.

Kavaljeri mbrohet duke thënë se po persekutohet nga gjyqtarë të motivuar politikisht.

Ai ka hedhur poshtë kërkesat për dorëheqje me pretendimin se zgjedhjet e parakohshme dëmtojnë Italinë, që po lufton aktualisht për të dalë nga kriza.

Demonstratat i vunë kapakun një jave aspak të mirë për kryeministirin italian që përballet me një përshkallëzim të skandaleve të tij seksuale, por edhe atyre të korrupsionit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA